Rruga e harruar/ 4 kilometra izolim po zbrazin Drenien: fermerët pa treg, të rinjtë largohen nga fshati se mbetën pa u martuar.

Patos – Vetëm katër kilometra rrugë ndajnë fshatin Siqecë me Drenien në bashkinë e Patosit, por mungesa e investimeve serioze në këtë aks ka kthyer jetën e banorëve në një sfidë të përditshme.
Banorët e Drenies thonë se amortizimi i rrugës ka sjellë izolim, braktisje të fshatit dhe vështirësi të mëdha ekonomike për fermerët e zonës.
Sipas tyre, rruga është shtruar para dy vitesh me rërë bituminoze, por sot në shumë segmente është dëmtuar rëndë, duke u kthyer në “gropa-gropa”.
Mungesa e kanalizimeve anësore ka bërë që ujërat të dëmtojnë edhe më shumë segmentin, ndërsa lëvizja me automjete është bërë tepër e vështirë.




Banorët tregojnë se për të shkuar drejt Patosit u duhen rreth 50 mijë lekë të vjetra, ndërkohë që më afër e kanë Roskovecin nga krahu i Vloshit. Ata shprehen se izolimi i zonës ka sjellë pasoja të rënda sociale dhe ekonomike.
Fermerët e Drenies thonë se prodhimet bujqësore dhe vaji i ullirit po u mbeten stok, pasi mungesa e infrastrukturës ua vështirëson nxjerrjen në treg. Sipas tyre, askush nuk interesohet për zonën dhe investimet kanë munguar prej vitesh.




Problematikat nuk ndalen vetëm tek ekonomia. Shkolla e fshatit është mbyllur prej tre vitesh për shkak të mungesës së nxënësve, ndërsa shumë familje janë larguar drejt Fierit. Banorët tregojnë se edhe të rinjtë po e braktisin fshatin, duke u shpërngulur në qytet për të gjetur nuse sepse vajzat nuk martohen me djemtë e fshatit për shkak të kushteve që fshati nuk ka.
“Djemtë e fshatit ikin në Fier edhe për të krijuar familje, sepse këtu nuk do të vijë askush të jetojë në këto kushte”, shprehen banorët me shqetësim.
I pyetur mbi gjendjen e rrugës, kryetari i bashkisë së Patosit, Fatjon Duro, pranoi problematikat dhe deklaroi se segmenti prej 4 kilometrash kërkon një investim më serioz.
Sipas tij, bashkia ka bërë ndërhyrje me resurset që ka patur në dispozicion, por financat lokale nuk mjaftojnë për një rikonstruksion të plotë të aksit.









“Ne kemi bërë aq sa kemi mundur në bazë të buxhetit që kemi. Ky segment kërkon investim serioz dhe kemi planifikuar të kërkojmë mbështetje nga FSHZH për rehabilitimin e plotë të rrugës Siqecë–Drenie”, u shpreh Duro.
Banorët ndërkohë kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme, pasi sipas tyre çdo vit që kalon po e zbraz më shumë fshatin dhe po i detyron familjet të largohen drejt qyteteve. / ALB365/ Xhemil Beharaj











