Skemë mashtrimi me karta: Synohen përdoruesit e Apple Pay dhe PayPal

Një valë alarmante mashtrimesh dixhitale ka përfshirë Shtetet e Bashkuara, me dhjetëra mijëra përdorues që bien pre e faqeve të rreme që imitojnë shitësit më të mëdhenj të tregtisë online. Mashtrimi është krijuar për të vjedhur të dhënat e kartave bankare përmes faqeve që duken të besueshme – nga PayPal e Apple, tek brende të njohura si Wayfair, Michael Kors, Hermes apo Brooks Brothers. Këto faqe funksionojnë përmes reklamave mashtruese në rrjetet sociale, rezultate të manipuluara në Google dhe butona falsifikues për Apple Pay apo Visa, duke e bërë procesin e blerjes virtuale të duket krejtësisht legjitim.
Ekspertët e sigurisë kibernetike nga kompania Silent Push zbuluan mijëra faqe të tilla aktive, të shumta prej të cilave drejtohen nga grupe kriminale të organizuara me origjinë nga Kina. Në shumë raste, vetëm një shkronjë e ndryshuar në adresën e faqes i ndan mashtruesit nga faqet zyrtare. Për ta bërë skemën edhe më bindëse, mashtruesit përdorin kode të ripërdorura në gjuhën kineze dhe struktura kopje të faqeve të njohura – një fenomen i quajtur “SEO poisoning” që i shtyn këto faqe në majë të rezultateve të kërkimeve online.
Problemi është global. Gazetari meksikan Ignacio Gómez Villaseñor zbuloi një rrjet të ngjashëm të faqeve mashtruese gjatë fushatës “Hot Sale 2025” në Meksikë. FBI ka paralajmëruar se këto skema po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara, veçanërisht gjatë sezonit të zbritjeve, kur përdoruesit janë më të prirë të blejnë shpejt dhe pa kontrolluar burimin.
Humbjet ekonomike janë të mëdha: vetëm në vitin 2024, amerikanët humbën 16.6 miliardë dollarë nga mashtrimet online, me rreth 860,000 ankesa të regjistruara në FBI. Agjencia u bën thirrje qytetarëve të tregohen vigjilentë: të shmangin pagesat me karta dhuratë, të mos dërgojnë para në mënyrë anonime dhe të verifikojnë gjithmonë sigurinë e faqeve (p.sh. nëse përdorin HTTPS). Sipas FBI-së, rregulli është i thjeshtë: “Nëse duket shumë e mirë për të qenë e vërtetë – atëherë nuk është e vërtetë.”