Ish-influencerja që hoqi dorë nga reklamat: “Po, humba para – por fitova veten”

Hannah Rose Keys, një nënë 38-vjeçare nga Zelanda e Re dhe ish-influencer me mbi 40 mijë ndjekës në Instagram, ka ndarë rrëfimin e saj të sinqertë për vendimin për të lënë pas botën e “përmbajtjes për para”. Në një postim të gjatë në Instagram, Hannah shpjegon pse zgjodhi të ndalojë së promovuari produkte dhe si kjo ka ndryshuar jetën e saj. Ajo e përshkruan industrinë e influencimit si “një kushëri më cool i skemave piramidale”, ku ndjekësit dhe vetë jeta e saj ishin kthyer në mall për konsum dhe markat e kishin pushtuar hapësirën, kohën dhe zërin e saj.
Edhe pse ajo fitonte mijëra dollarë në muaj, pagesat e vonuara, kërkesat absurde për përmbajtje dhe ndjenja e përhershme e “detyrimit” për të reklamuar produkte të padëshiruara e shtynë Hannah-n drejt një vendimi drastik: të ndalonte çdo bashkëpunim përveç një kontrate që e kishte për detyrim të përfundonte. Që atëherë, ndonëse fiton më pak dhe nuk merr më “dhurata falas”, ajo ndjen më shumë qetësi, kontroll mbi përmbajtjen e saj dhe mundësinë për të krijuar pa ndikuar nga interesat komerciale. “Tani postoj për vërtet,” shkruan ajo, “dhe më në fund ndiej se kam rifituar zërin tim.”