AKTUALITETTOP-NEWS

SPAK i konfirmon Celibashit të KQZ dënimin e Kryebashkiakut të Ramës; a do shkarkohet Kreshnik Hajdari?

Në një shkresë drejtuar KQZ-së, Prokuroria e Posaçme bën me dije se ish-i pandehuri është dënuar për falsifikim formularësh dhe ndaj tij është nxjerrë urdhri i ekzekutimit të vendimit

SPAK i konfirmon KQZ-së, përmes një shkrese zyrtare, dënimin e Kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdari. Shkresa me firmën e Klodian Brahos, kreut të SPAK-ut, i drejtohet Komisionerit Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi, ku i bën të ditur se vendimi ndaj Kryebashkiakut Hajdari ka marrë formë të prerë, madje është nxjerrë edhe urdhri për ekzekutimin e dënimit.

Shkresa e Brahos ndaj Celibashit është një kthim përgjigje që SPAK i ka bërë Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, lidhur me të kaluarën penale të Hajdarit.

Në dokumentin zyrtar, Prokuroria e Posaçme sqaron se procedimi penal ndaj Kreshnik Hajdarit është regjistruar me numrin 80, më datë 3 maj 2023, për veprën penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, parashikuar nga neni 190/2 i Kodit Penal. Sipas SPAK, pas përfundimit të hetimeve paraprake, çështja është dërguar për gjykim më 18 dhjetor 2023. Më pas, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.06 të datës 25 janar 2024, e ka deklaruar fajtor Hajdarin për kryerjen e veprës penale.

Në vendimin e saj, gjykata ka caktuar fillimisht një dënim me 9 muaj burgim. Por, në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, që parashikon ulje të dënimit në rast të procedurës së gjykimit të shkurtuar, të pandehurit i është ulur një e treta e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 6 muaj burg.

Në një tjetër dokument të firmosur nga drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, konfirmohet se më datë 1 shkurt 2024 SPAK ka nxjerrë urdhrin për ekzekutimin e vendimit penal nr.06 të Gjykatës së Posaçme.

Po sipas dokumentit, vendimi i gjykatës ka marrë formë të prerë më 5 korrik 2024, çka nënkupton përfundimin e procesit gjyqësor dhe hyrjen në fuqi të dënimit.

Në to nuk jepen detaje të tjera mbi rrethanat konkrete të çështjes apo aktivitetin që çoi në procedimin penal ndaj Hajdarit,.

Korrespondenca mes SPAK dhe KQZ-së vjen në kuadër të verifikimeve institucionale që kryhen për subjekte të ndryshme, bazuar në legjislacionin për dekriminalizimin dhe kontrollin e figurës së personave që ushtrojnë ose synojnë funksione publike.

SPAK i konfirmon Celibashit të KQZ dënimin e Kryebashkiakut të
SPAK i konfirmon Celibashit të KQZ dënimin e Kryebashkiakut të

Deri tani nuk ka një reagim publik nga Kreshnik Hajdari lidhur me përmbajtjen e dokumenteve të publikuara nga Prokuroria e Posaçme.

Bazuar në ligjin për dekriminalizimin, Hajdari mund të humbasë para kohe mandatin si Kryebashkiak, ndërkohë që zgjedhjet e rregullta lokale, mbahen në pranverën e 2027-ës. 

Reagimi i Lefter Maliqit

Lefter Maliqi, kandidati i opozitës për Bashkinë e Kuçovës, në një reagim publik shprehet se Kreshnik Hajdari ka fshehur një dënim të mëparshëm në Greqi në momentin e kandidimit për zgjedhjet vendore, duke kërkuar që institucionet të veprojnë dhe të vendoset drejtësia.

Sipas tij, çështja është zvarritur për vite me radhë përmes manovrave procedurale dhe mungesës së reagimit institucional, ndërsa vetëm tani Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka kërkuar informacion mbi statusin juridik të Hajdarit.

Maliqi ngre pikëpyetje për kohën e këtij reagimi, duke theksuar se KQZ duhej të kishte ndërhyrë që në prill të vitit 2023, kur sipas tij, Koalicioni “Bashkë Fitojmë” kishte depozituar prova dhe dokumente për një vendim penal të formës së prerë ndaj Hajdarit në Greqi.

Ai shprehet se, nëse këto të dhëna do të ishin marrë në konsideratë në kohë, kandidimi i Hajdarit nuk duhej të ishte lejuar në zgjedhjet vendore të majit 2023 për Bashkinë Kuçovë.

Në reagimin e tij, Maliqi akuzon gjithashtu për ndërhyrje politike dhe mbrojtje institucionale, duke përmendur edhe rolin e avokatit të Hajdarit, Theodhori Sollaku, për të cilin thotë se ka përdorur mjete procedurale për të penguar zbardhjen e plotë të çështjes.

Sipas Maliqit, mandati i kryebashkiakut është siguruar në kushte të kontestuara, duke përfshirë përçarjen e opozitës, presione ndaj mbështetësve dhe dyshime për manipulime në procesin zgjedhor në Kuçovë.

Ai thekson se kërkesa e tyre nuk ka qenë për shkarkim personal, por për pavlefshmëri të kandidimit, pasi sipas tij, fshehja e një dënimi penal përbën shkelje të ligjit.

Në deklaratën e tij përmendet gjithashtu se çështja është trajtuar nga SPAK dhe Gjykata e Posaçme, të cilat, sipas Maliqit, kanë dhënë një vendim dënimi ndaj Hajdarit, i konvertuar më pas në punë në komunitet.

Në fund, Maliqi i bën thirrje KQZ-së që të mos e zvarrisë më procesin dhe të kërkojë informacion të plotë për të gjitha fazat e kandidimit dhe shqyrtimit të çështjes.

“Drejtësia vonon, por nuk harron. Kushdo që ka shkelur ligjin dhe ka abuzuar me detyrën do të mbajë përgjegjësi,” shprehet Maliqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button