BOTA

Presidenti Trump pret në Shtëpinë e Bardhë Presidentin francez Macron

Presidenti Donald Trump do të presë për bisedime këtë të hënë në Shtëpinë e Bardhë Presidentin francez Emmanuel Macron.

Takimi vjen në një moment pasigurie të thellë mbi të ardhmen e marrëdhënieve transatlantike, ndërsa Presidenti Trump ka transformuar politikën e jashtme amerikane, duke lënë jashtë udhëheqësit evropianë nga përpjekjet për t’i dhënë fund shpejt luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.

Presidenti Trump po kërkon gjithashtu të marrë kontrollin e Groenlandës, Gazës dhe Kanalit të Panamasë – si dhe arritjen e një marrëveshje me Ukrainën për shfrytëzimin e burimeve të mineraleve të rralla të këtij vendi.

Presidenti Trump pret zotin Macron këtë të hënën, në trevjetorin e luftës në Ukrainë. Të enjten ai do të takohet me një tjetër udhëheqës kyç evropian, Kryeministrin britanik Keir Starmer.

Vizitat e tyre vijnë pasi Presidenti Trump tronditi Evropën me kritika të përsëritura ndaj Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy për dështimin për të negociuar për përfundimin e luftës si dhe kundërshtimin për të nënshkruar një marrëveshje që i jep SHBA-ve qasje tek mineralet e rralla të Ukrainës, të cilat mund të përdoren në industrinë amerikane të hapësirës, mjekësi e teknologji.

Udhëheqësit evropianë u tronditën gjithashtu edhe nga vendimi i Presidenti Trump për të dërguar ndihmës të lartë për bisedime paraprake me zyrtarë rusë në Arabinë Saudite, pa praninë e zyrtarëve ukrainas, apo atyre evropianë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button