Tuesday, October 15, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeKULTURËTomka/  Nga yll i filmave, përjashtimi nga shkolla, problemet me shëndetin

Tomka/  Nga yll i filmave, përjashtimi nga shkolla, problemet me shëndetin

Një tjetër aktor do t’i mungojë prej sot kinematografisë shqiptare dhe të gjithë shqiptarëve. Aktori i njohur, Enea Zhegu, ka mbyllur sytë përgjithmonë mëngjesin e kësaj të diele, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë. Ai ka ndërruar jetë në moshën 57-vjeçare, duke lënë pas një sërë role, për të cilët do të mbahet mend gjithmonë. Ai u bë i njohur që në fëmijërinë e tij.

Mbarësia do t’i vinte që në vitin 1978, kur regjisori Dhimitër Anagnosti e zgjodhi për filmin “Lulëkuqet mbi mur”. Një vit më pas, Viktor Gjika do ta merrte për filmin “Njeriu me top” e në këtë kohë do të zgjidhej dhe për rolin kryesor të filmit “Tomka dhe shokët e tij”, pra për rolin e Tomkës që do ta bënte të famshëm, ndërsa ai ishte ende nxënës në klasën e shtatë. Enea Zhegu ishte ndërgjegjësuar nga dy eksperiencat e para se ç’do të thoshte të bëheshe pjesë e një filmi. Ndaj në ditën kur Xhanfize Keko kishte mbledhur fëmijët, po aq të njohur sa edhe ai në botën e filmit, e dëshironte me gjithë shpirt Tomkën. Dhe kur fitoi konkursin që iu duk shumë i vështirë (sepse kishte rivalë të fortë), u ndje jo vetëm i gëzuar, por edhe disi superior ndaj të tjerëve.

Ai do të ishte komandanti. Enea e kuptoi shumë mirë rolin që po i kërkohej të bënte, aq sa do të mësonte shpejt ta luante bukur edhe jashtë sheshit të xhirimit. I gjendur gjithmonë në qendër të vëmendjes (sidomos pas shfaqjes së filmit “Tomka dhe shokët e tij), i llastuar jo pak nga gjyshërit e tij dhe i preferuar nga regjisorët e njohur, Enea do të ndjehej shumë i rëndësishëm. Deri diku dhe i paprekshëm. Ndoshta prandaj, vite më pas, kur nuk do të ishte më fëmija të cilit mund t’ia falnin lehtë gabimet, jeta nuk do t’i vinte dhe aq e mbarë sa në fëmijëri.

Filli i kujtimeve të bukura për Enean u ndërpre me mbarimin e filmit “Një jetë më shumë”, të regjisorit Gjergj Erebara. Pas tij nuk do të kishte më filma të tjerë. Shpirti i lirë dhe paksa rebel që ishte krijuar pak e nga pak brenda tij, nisi të nxjerrë krye më shumë në vitet e gjimnazit. Aq sa emri Enea Zhegu do të regjistrohej pothuajse në regjistrat e të gjitha gjimnazeve të Tiranës. Sapo përjashtohej nga njëra shkollë, e dërgonin tek një tjetër, derisa do të përfundonte në shkollën e natës. Bëmat i mbeteshin atij, Tomkës.

Shumëkush vazhdonte ta identifikonte si Tomkën djaloshin plangprishës. Enea ndjehej mirë prej kësaj nofke, e cila do ta ndiqte nga pas edhe në kohën kur arriti të hyjë në Akademinë e Arteve, ku do të ndjente për herë të parë dëshirën që të bëhej një aktor, ndërsa gjithçka kishte ndodhur më parë në shesh të xhirimit, nuk e kishte marrë dhe aq seriozisht. Atje në Akademi, do të ndodhte mrekullia që nuk do të zgjaste shumë. Sepse që në vitin e pare, Enea Zhegu do të përjashtohej sërish nga shkolla për “sjellje të këqija”. Dënimi i parë që mori ishte vetëm për një vit shkollor. Ndërsa në vitin e dytë, një tjetër dënim që do të merrte, po për sjellje jo të mirë, do ta përjashtonte përfundimisht. “Tomka” vazhdonte të ishte i mbrapshtë, ndaj jeta do t’i vinte gjithnjë e më e mbrapshtë.

Në vitin 1989 do të provonte për herë të parë se ç’do të thoshte të të mbyllnin në një psikiatri. Në këtë herë të parë do ta mbanin brenda vetëm 15 ditë, ndërsa në herën e dytë plot një muaj. Këtyre kohëve të mbrapshta Enea do t’u shpëtonte vetëm në 1990-ën, kur do të nisej për në Greqi, e pak vite më pas në Itali. Tashmë është kthyer sërish në Tiranë. Që në ditët e para që do të mbërrinte do të shkonte në Akademinë e Arteve, sepse donte që filli të lidhej pikërisht aty ku ishte shkëputur këtu e vite të shkuara.

Gjithsesi, nuk u mbërthye shumë pas nostalgjisë. E kuptoi shpejt se jeta nuk ishte ajo filmave, se kohët nuk ishin më si atëherë kur xhirohej për Tomkën. Ndaj nisi shpejt të mendojë që të hapte një aktivitet të tijin, një bar-restorant që e quajti “Vila 31”, por që më shumë është bërë i njohur si lokali i Tomkës. Sepse edhe në kohën kur bë një menaxher i vërtetë, Enea Zhegun vazhdonin ta thërrasin Tomka, e mbase kështu do të kujtohet gjithmonë. /News 24

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME