Wednesday, December 4, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeKRYESORETransparency International: Shqipëria shënoi rënie në përpjekjet për të luftuar korrupsionin

Transparency International: Shqipëria shënoi rënie në përpjekjet për të luftuar korrupsionin

Nga Blerina Gjoka

“Forma të ndryshme të korrupsionit, nga korrupsioni i vogël deri tek nepotizmi, pastrimi i parave dhe kapja e shtetit, janë prezent në Shqipëri”, konstaton një raport i publikuar të martën nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) në bashkëpunim me organizatën Transparency International.

Raporti i “Vlerësimit të Sistemit Kombëtar të Integritetit”, një studim që mat efektivitetin e mekanizmave publikë kundër korrupsionit merr në analizë 15 aktorë shtetëtorë dhe privatë – si ekzekutivi, legjislativi, sistemin e drejtësisë, institucionet e pavarura, median e shoqërinë civile dhe sektorin privat.

Në përgjithësi studimi vë në dukje se ka një rënie të vazhdueshme të mekanizmave antikorrupsion në sektorin publik, një stanjacion në media dhe shoqërinë civile, ndërkohë që të vetmit indikatorë pozitivë vijnë nga sistemi i drejtësisë, që lidhet dhe me zbatimin e reformës në drejtësi që nga viti 2016, kur është bërë studimi i fundit.

Sektori publik është shtylla me pikët më të ulëta që sipas raportit “vuan nga standardat e paqarta profesionale, nga rreziqet e korrupsionit dhe ndërhyrja politike”.

Institucionet e pavarura si KLSH, ILDKPKI dhe Avokati i Popullit kanë një rol të kufizuar ndaj qeverisë për politikat kundër korrupsionit, ndërsa parlamenti është nën ndikimin e pushtetit ekzekutiv.

Gjatë prezantimit të raportit nga të përfaqësuesit e IDM dhe TI u vu theksi tek nevoja për reforma të sinqerta dhe ngritje kapacitetesh në luftë me korrrusionin nga sektori publik, si dhe rritja e rolit llogari-kërkues nga Kuvendi për qeverinë.

Lidija Prokic, këshilltare rajonale për Evropën Lindore dhe Juglindore pranë TI tha se raporti rendit problemet që lidhen me mosfunksionimin e mekanizmave kundër korrupsionit dhe vuri theksin tek nevoja për fuqizimin e shoqërisë civile në këtë drejtim.

“Studimi na tregon se ku janë boshllëqet, si një pikënisje për të parë se çfarë mund të bëjmë që të ndërmarrim veprime kundër korrupsionit”- tha ajo.

Po ashtu Prokic vuri theksin tek roli i parlamentit duke e cilësuar atë një “pikë e dobët” e mosfunksionimit të mekanizmave anti-korrupsion. “Parlamenti është dominuar nga dega e ekzekutivit dhe partia në pushtet që ka shumicën në Kuvend”- tha ajo duke shtuar se “mungesa e debatit çon në miratimin e ligjeve me hapësira që lejojnë korrupsionin.

Në raport vihet në dukje mungesa e ndarjes së pushtetit midis ekzekutivit dhe legjislativit, që karakterizohet nga prania e liderëve politikë të fortë për shkak të mungesës së proceseve të brendshme demokratike brenda partive politike.

Një prej autorëve të raportit, Daniel Prroni kërkues pranë IDM, renditi disa nga problematikat e vërejtura gjatë analizës që iu bë rolit të aktorëve të ndryshëm në luftën kundër korrupsionit.

“Ka një përqendrim të pushtetit nga dega e ekzekutivit, veçanërisht nëpërmjet kreut të qeverisë, çka përkthehet në ndikim të tij ndaj Kuvendit”- tha Prroni duke shtuar se dominimi i Kuvendit nga ekzekutivi duke ndikuar në rolin kontrollues parlamentar.

Raporti vëren se arkitektura ligjore dhe institucionale është përgjithësisht e kënaqshme, por shohim që institucioneve publike i mungojnë kapacitetet dhe burimet e mjaftueshme për të ndërmarrë rolin e tyre në sistemin anti-korrupsion.

Në formë përmbledhëse raporti njeh përpjekjet për forcim dhe konsolidim të institucioneve gjatë viteve të fundit, por këto përpjekje cenohen nga dobësimi i ndarjes së pushteteve dhe rritjes së ndikimit të ekzekutivit mbi degët e tjera të pushtetit.

Raporti vëren një stanjacion të rolit të shoqërisë civile dhe medias, të cilat përballen me sfida dhe presione nga ana e qeverisë.

“Aktivistët e shoqërisë civile ndeshen me kërcënime dhe ngacmime të vazhdueshme, me fushata shpifjeje nga mediat tradicionale, qeveria dhe partitë politike që diskreditojnë OSHC-të kritike ndaj qeverisë”- sugjeron raporti, ndërsa për vihet në dukje se gazetarët kane përjetuar sulme fizike, dhunë policore, sulme nga krimi i organizuar, që shpesh kalojnë pa u ndëshkuar.

Duke iu referuar gjetjeve, Prroni, tha se “problemet kryesore kanë të bëjnë me përqendrimin e pronësisë së mediave private të lidhura me partitë në pushtet ose elitat e sektorit privat”, gjë që ndikon në linjën editoriale të mediave.

Sipas raportit, problem mbetet fakti që organet e mbikëqyrjes së mediave cenohen nga emërimet me ndikim politik dhe transmetimi i materialeve të gatshme nga qeveria cenojnë integritetin dhe rolin publik të medias./BIRN

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME