Turqia u zotua të dielën se do të hetojë të gjithë ata që dyshohet të jenë përgjegjës për shembjen e ndërtesave nga tërmetet shkatërruese dhe ka urdhëruar deri tani ndalimin e 113 të dyshuarve.
Ekipet e shpëtimit vazhduan të nxjerrin të mbijetuar nga rrënojat e tërmetit gjashtë ditë pas katastrofës, përfshirë një grua shtatzënë dhe dy fëmijë të vegjël, por numri i të vdekurve në Turqi dhe Siri ka arritur në mbi 33 mijë.
Nënpresidenti Fuat Oktay tha gjatë natës se 131 të dyshuar janë identifikuar deri tani si përgjegjës për shembjen e disa prej mijëra ndërtesave të rrafshuara në 10 provincat e prekura nga tërmetet e së hënës së kaluar.
“Për 113 prej tyre janë lëshuar urdhra paraburgimi,” u tha zoti Oktay gazetarëve në një konferencë shtypi në qendrën e koordinimit të menaxhimit të fatkeqësive në Ankara.
“Ne do ta ndjekim këtë çështje me vëmendje derisa të përfundojë procesi i nevojshëm gjyqësor, veçanërisht për ndërtesat që pësuan dëmtime të mëdha dhe ndërtesat që shkaktuan vdekje dhe lëndime”, tha ai.
Nënpresidenti tha se ministria e drejtësisë ka krijuar zyra hetimore për krimet e lidhura me tërmetin për të hetuar vdekjet dhe plagosjet.
Ministri i Mjedisit Murat Kurum tha se 24,921 ndërtesa janë shembur ose janë dëmtuar rëndë nga tërmeti në të gjithë rajonin.
Prokurorët shtetërorë në Adana urdhëruan ndalimin e 62 personave në një hetim për ndërtesat e shembura, ndërsa prokurorët kërkuan arrestimin e 33 personave në Dijarbakir për të njëjtën arsye, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu.
Agjencia tha se tetë persona ishin arrestuar në Sanliurfa dhe katër në Osmaniye në lidhje me ndërtesat e shkatërruara që besohej se kishin defekte.
Policia arrestoi ndërtuesin e një kompleksi rezidencial që u shemb në Antakya në aeroportin e Stambollit ndërsa po përgatitej të hipte në një avion për në Mal të Zi të premten në mbrëmje. Ai u arrestua zyrtarisht të shtunën, sipas agjencisë Anadolu.
Partitë opozitare kanë akuzuar qeverinë e Presidentit Tajip Erdogan për moszbatimin e rregulloreve të ndërtimit dhe për keqpërdorim të taksave të posaçme të vendosura pas tërmetit të fundit të madh në vitin 1999, me qëllim që t’i bëjë ndërtesat më të qendrueshme ndaj tërmeteve.
Zoti Erdogan ka thënë se opozita po gënjen dhe përhap shpifje për të sulmuar qeverinë, duke penguar investimet në vend që të merret me korrupsionin në komunat e drejtuara nga opozita.
Nga viti 2012 deri në vitin 2022, Turqia ra me 47 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të organizatës Transparency International./VOA/