“Toka e bukës në rrezik: 14 familje të Boçovës lënë 30 vjet djersë në arë, ndërkohë që firma merr çertifikatën për 1 vit”

Levan – Në Boçovë të njësisë administrative Levan, bashkia Fier, tensioni është në pikën e vlimit. Mbi 10 hektarë tokë bujqësore, një sipërfaqe që banorët e quajnë “toka e bukës”, është futur në konflikt pasi një firmë private ka nisur procedurat për ta marrë për ndërtimin e paneleve diellore. Kjo tokë është punuar pa ndërprerje prej më shumë se 30 vitesh, duke mbajtur me bukë dhjetëra familje, të cilat sot rrezikojnë ta humbin përballë një certifikate pronësie të pajisur brenda një viti.
Banorët thonë se e kanë tokën me dokumenta të rregullta, akte përdorimi, kontrata të vjetra, pagesa taksash dhe vulosje nga ish-komunat dhe bashkia.
Ata e kanë punuar çdo vit, duke mbjellë grurë, jonxë, perime dhe duke siguruar të ardhura për familjet e tyre. Por sot, në arat që kanë vaditur, lëruar dhe korrur prej dekadash, ka mbërritur një firmë ndërtimi që pretendon se është pronare e ligjshme.
“Ne kemi 20 e ca vite që vrapojmë dyerve të hipotekës. Na thonë s’ka dokument, s’ka planvendosje, s’ka firmë, s’ka vulë… të gjitha justifikimet e mundshme. Ne nuk kemi marrë dot certifikatën. Ndërsa firma, brenda 12 muajve, i ka marrë të gjitha letrat. Si ka mundësi?” – shprehet një nga banorët tejet i revoltuar.




Ndërkohë, në terren situata është në përshkallëzim. Përfaqësues të 14 familjeve janë përballë firmës “Bervi Construction”, e cila sipas banorëve ka sjellë makineritë dhe është gati të nisë punimet.
Banorët pohojnë se makineritë janë të sigluara nga kompania “Salillari”, një emër i njohur në projektet publike, çka shton më shumë dyshimet për përfshirje të aktorëve të fuqishëm.
“Na vjen dikush sot dhe na thotë ‘është toka ime’. Na tregon certifikatën e pronësisë sikur është gjë e marrë nga qielli. Po ne çfarë jemi? Jemi fantazma? Ku kemi qenë këto 30 vjet që e punojmë? Ne kemi dokumenta të vjetra, por të vërteta. Ata kanë letra të reja, por të dyshimta.” – shprehet një tjetër banor duke treguar dosjet e tij të vulosura.
Banorët e Boçovës nuk kanë ndërmend të lënë tokën në heshtje.
Ata kanë nisur të mbledhin firmat, të kërkojnë ndihmën e avokatëve dhe paralajmërojnë protesta nëse makineritë zbresin në parcelat e tyre. Situata ka tension të lartë, ndërsa çdo ditë në fshat mbërrijnë persona të ndryshëm që pretendojnë se përfaqësojnë kompaninë ose institucionet.




Ndërkohë, asnjë instancë zyrtare nuk ka dhënë një përgjigje të qartë mbi mënyrën se si kompania është pajisur me certifikatë brenda një viti, ndërsa banorët enden prej më shumë se dy dekadash.
Pyetjet janë të shumta:
• Kush ia dha tokën firmës?
• A janë verifikuar dokumentat historike të banorëve?
• Pse institucionet nuk japin zgjidhje?
• Si mund të ngrihen panele diellore mbi tokë bujqësore të kategorizuar si “tokë buke”?
Banorët kërkojnë që shteti të zbresë në terren dhe të verifikojë çdo dokument, duke paralajmëruar se nuk do të lejojnë askënd t’u marrë tokën e trashëguar dhe të mbrojtur me punë e djersë.





Konflikti pritet të thellohet ndërsa makineritë janë gati të nisin punën dhe familjet janë të vendosura të mos e dorëzojnë tokën pa luftë. Boçova sot nuk është më thjesht një fshat – është një vatër e një përplasjeje të madhe mes qytetarëve dhe sistemit.











