SPORT

 Yamal, statistikat e tij janë të jashtëzakonshme

Në stadiumin olimpik Lluis Companys të Montjuïc, mbrëmja mes Barcelonës dhe Interit ishte një spektakël i vërtetë: një ndeshje e çmendur, me emocione, rikthime rezultati dhe momente të paharrueshme. Por mbi të gjitha, ishte mbrëmja e Lamine Yamal.

Ende pa mbushur 18 vjeç (ditëlindjen e ka më 13 korrik), talenti katalanas u shndërrua në liderin e Barcelonës në një sfidë që kishte nisur në “malore”. Ai e mori skuadrën për dore dhe e riktheu në lojë, duke mbajtur gjallë shpresat për finalen në ndeshjen e kthimit në “San Siro”.

Statistikat e tij flasin vetë: Yamal ishte lojtari më i rrezikshëm në sulm për Barçën – ai gjuajti më shumë (6 herë), krosoi më shpesh (10 herë), realizoi më shumë driblime (6) dhe, për habi, ishte i treti për prekjet e topit (102), vetëm pas Pedri (107) dhe De Jong (112).

Vetëm disa nga rekordet e tij: Më i riu që ka debutuar dhe ka shënuar me Barcelonën dhe kombëtaren spanjolle; më i riu që ka debutuar, shënuar dhe fituar një Europian; më i riu që ka qenë titullar në Champions League; dhe që nga mbrëmja e së mërkurës, më i riu që ka shënuar ndonjëherë në një gjysmëfinale të Champions-it.

Bota e futbollit është në këmbë për Lamine. Simone Inzaghi, trajneri i Interit, pas ndeshjes deklaroi: “Nuk kam parë një si ai prej vitesh”. Edhe Erling Haaland, zakonisht i rezervuar, nuk mundi të mos reagojë: “Ky djalë është i pabesueshëm”, shkroi sulmuesi i City-t në Snapchat.

Ndërsa Marcus Thuram, duke folur për Canal+, tha se Yamal është ndoshta lojtari i tretë më i mirë në botë për momentin, pas Mbappé dhe Dembélé.

Me mbi 100 ndeshje me fanellën e Barcelonës dhe 4 trofe të fituar tashmë, Lamine Yamal është jo vetëm një premtim për të ardhmen, por një yll i së tashmes. Sfida e radhës? Stadiumi “San Siro” dhe 80.000 tifozë italianë – një provë zjarrtë për një lider që duket gati të udhëheqë Barçën drejt ëndrrës së Tripletës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button