Kërkimet me radarë kanë zbuluar praninë e 17 gropave që mund të përmbajnë trupat e 751 fëmijëve nga komunitetet indigjene në një varrezë pranë një ish-shkolle rezidenciale katolike në Kanada. Varreza është zbuluar pranë ish-Shkollës Rezidenciale Indiane Alberni.
Më shumë se 150 mijë fëmijë vendas u detyruan të hynin në shkollat e krishtera të financuara nga shteti prej shekullit të 19-të deri në vitet 1970. Mijëra prej tyre vdiqën në rrethana të dyshimta. Fëmijët u morën nga familjet e tyre në një përpjekje për t’i izoluar ata nga ndikimi i kulturës së tyre.
Qëllimi ishte që fëmijët të krishteroheshin me qëllim asimilimin e kulturës vendase. Pak kohë më parë qeveria kanadeze pranoi keqtrajtimin dhe abuzimin fizik e seksual ndaj këtyre fëmijëve. Ata rriheshin sepse flisnin gjuhën e tyre amtare.
Abuzimi dhe izolimi i tyre shihet nga udhëheqësit indigjenë si shkaku kryesor i shkallës së epidemisë së varësisë ndaj alkoolit dhe drogës në këtë komunitet. Në prill të vitit të kaluar, Papa Françesku kërkoi falje për krimet e kryera nga Kisha. Në korrik ai udhëtoi për në Kanada ku u takua vetë me përfaqësues të komuniteteve indigjene.