Zjarri masiv përfshin kodrat e Gorishovës, flakët përhapen me shpejtësi

Fier – Një zjarr masiv ka përfshirë mesditën e sotme kodrat me ullishte në Gorishovë, në Njësinë Administrative Cakran të Bashkisë Fier, duke alarmuar banorët e zonës.
Flakët janë përhapur me shpejtësi në një sipërfaqe të gjerë me shkurre, ullishte dhe masiv pyjor, të favorizuara edhe nga era. Terreni i thyer po e vështirëson ndjeshëm ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse, të cilat ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për izolimin dhe neutralizimin e vatrave të zjarrit.
Për momentin, flakët raportohet se ndodhen larg zonave të banuara, çka ka shmangur rrezikimin e drejtpërdrejtë të banesave.
Megjithatë, përhapja e shpejtë e zjarrit dhe prania e një sipërfaqeje të konsiderueshme me bimësi e ullishte mbajnë situatën nën alarm.
Ky është zjarri i dytë masiv që godet zonën e Cakranit brenda dy ditësh.
Vetëm një ditë më parë, një tjetër zjarr i përmasave të mëdha përfshiu kodrat e Kreshpanit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në ullishte dhe sipërfaqe pyjore. Sipas të dhënave të raportuara nga zona, flakët shkrumbuan rreth 2 mijë rrënjë ullinj, ndërsa dëmet prekën një sipërfaqe të konsiderueshme toke.


Banorët e zonës janë përballur kështu me dy situata të njëpasnjëshme zjarri, ndërsa forcat zjarrfikëse vijojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll flakët dhe për të parandaluar përhapjen e tyre drejt zonave të tjera.
Nëse era vijon të jetë e fortë, terreni i vështirë dhe bimësia e thatë mbeten faktorë që mund të favorizojnë përhapjen e mëtejshme të zjarrit.








