Saturday, October 5, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËOPINION/ ANALIZË2.3 milionë palestinezë të Gazës në Shqipëri!

2.3 milionë palestinezë të Gazës në Shqipëri!

Nga Lutfi Dervishi

Një nga problemet më të komplikuara të globit koflikti arabo-izraelit do të zgjidhet nga Shqipëria.
Dhe nuk është fjala thjesht për të dhënë ide e mend, të cilat asnjëherë nuk na kanë munguar, por fjala është për një zgjidhje praktike: europianizimin e palestinezëve.
 
Shqipëria mund të vetëofrohet që 2.3 milionë palestinezë në rripin e Gazës, të vijnë dhe të vendosen në rripin nga Shkodra deri në Sarandë. (minus zonën Shëngjin dhe Gjadër). Ky rrip mund të quhet rripi Shqipa. 

Duke zgjedhur këtë rrip- palestinezët do të kenë sërish detin pranë dhe nuk do t’u mungojë shumë shkretëtira dhe luftërat e pafundme me Izraelin. Më në fund ky popull i vuajtur nuk do të bëj pauzë, nga njëra luftë në tjetrën, por do të gjej paqen e humbur në trojet e lashta arbnore.

Meqë të gjithë kanë dështuar për të arritur paqen mes Izraelit dhe Palestinës, meqë askush nuk po mendon të ndalojë luftën që ka nisur mes Izraelit dhe Hamasit, meqë gjithë bota në një anë po bën sehir dhe në anën tjetër shohim vetëm protesta në kryeqytetet e BE-së-, ka ardhur koha për një zgjidhje permanente me anë të veprimeve konkrete – 2.3 milionë banorë të Gazës të vijnë këtu dhe kështu jo vetëm qetësojmë botën, por edhe zgjidhim problemin e madh- largimin e mbi dy milionë shqiptarëve nga Shqipëria. (Në regjistrin e gjendjes civile për herë të parë në këto 30 e kusur vjet do të kemi një përkim ideal mes numrit teorik prej 4.5 milionë banorësh dhe numrit të banorëve që jetojnë në Shqipëri)

Shqipëria nuk mund të tolerojë më, konfliktin e tejzgjatur dhe vuajtjet pa fund të Gazës.

Shqipëria e ka detyrim këtë aksion në radhë të parë në respekt të traditës së vet të mikpritjes. “Shtëpia është e mikut dhe e shtegtarit”- thonë Kanuni i Lekë Dukagjinit. Imagjino kur shtegtari është në hall.

Në radhë të dytë, kjo që po bëjmë është vijim i nderit që u kemi bërë hebrenjëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Atëherë i shpëtuam nga persekutimi nazist, ndërsa sot nga fqinjët problematikë që duan të jetojnë në shtëpinë e vet, por gjuajnë me gur edhe shtëpinë e fqinjit. Izraeli shpëton nga terrorizmi i Hamasit, palestinezët jetojnë në paqe e bollëk në brigjet e Adriatikut. 

Në radhë të tretë e kemi detyrim të madh ndaj SHBA-së që aq shumë ka bërë për kombin shqiptar. Madje edhe me këtë gjest ndoshta nuk do t’ia arrijmë të shlyejmë borxhin historik- shpëtimin e Shqipërisë dhe Kosovës.

Në radhë të katërt ja kemi detyrim botës arabe, si pjesë e kontinentit europian, përgjegjës për gjendjen ku janë sot shoqëritë myslimane.

Në radhë të pestë Shqipëria e ka kuptuar mire që konflikti arabo-izraelit nuk është konflikt fetar, racor, nuk është luftë mes së mirës dhe së keqes, është një tragjedi mes dy popujve që kanë të drejtë. Palestinezët jane në shtëpinë e tyre, Hebrenjtë nuk kanë vend tjetër që ta quajnë shtëpi. Janë si dy njerëz që grinden për të njëjtën shtëpi dhe po qe çështja për real-estate, Shqipëria i ka aftësitë për të shuar konfliktet.

Deri më sot asnjë vend, asnjë institucion ndërkombëtar, asnjë NGO-, asnjë media, asnjë intelektual, askush nuk ka arritur t’i japë zgjidhje – konfliktit të përgjakur arabo-izraelit. Por, Shqipëria ka dhënë prova se bën atë që nuk i shkon në mendje askujt.

Për shembull, asnjë vend i BE-së nuk kishte idenë që të zgjidhte problemin e emigracionit nga Afrika e Veritu, Lindja e Mesme dhe Azia. Italia në hall, megjithëse fuqia e tretë ekonomike e BE-së nuk po i jepte zgjidhje çështjes së emigrantëve të paligjshëm- dhe ja ku doli kryeministri i Shqipërisë dhe si xhentëlmen i vërtetë- i shtrin njërën dorë Italisë dhe me dorën tjetër i jep BE-së një leksion se si duhet të përballet me sfidën e migrimit.

Edhe kur erdhi fjala për zgjidhjen e hallit të afganëve, pas rikthimit të talebanëve në pushtet, Shqipëria ishte e vetmja që ofroi veten për të pritur sa të ishte nevoja. Nuk mund të turpëronim traditën tonë dhe nuk mund të harronim që dikur ne “kemi qenë afganë”.

Po për çështjen e opozitës Iraniane që asnjë vend nuk pati guximin ta merrte? 
Si mundet Shqipëria që ka jetuar për një kohë të gjatë nën diktaturë  dhe e di shumë mirë çdo të thotë jetosh pa opozitë,  të pranonte që Irani, ky vend i madh, të mbetej pa opozitë?! Po ujgurët? …
Në këtë mënyrë Shqipëria i tregon botës se këtu ka harmoni jo vetëm mes feve të ndryshme, por edhe mes opozitave të ndryshme. Në vend, nuk ka asnjë shenjë tensioni mes opozitës afgane, opozitës iraniane, opozitës afrikane (që së shpejti vendoset në Shëngjin) dhe nesër opozitës arabe që do të vendoset në rripin e Shqipes.

I vetmi problem dhe burim tensioni është opozita shqiptare, por kjo është një çështje e brendshme pa rëndësi, para halleve të mëdha që ka bota. Nuk mund të tregohemi egoist dhe të flasim për çështje demokracie në vend, kur bota po shkon për dreq…

Këtu po flitet për stabilitetin botëror dhe Shqipëria si anëtar  i përgjegjshëm i Këshillit të Sigurimit, nuk mund të lerë botën të shkojë si në dasëm drejt Luftës së Tretë Botërore.
Me zgjidhjen e rripit të Gazës, Shqipëria jep edhe një kontribut të madh për luftën në Ukrainë, sepse vëmendja për këtë luftë  do të jetë e plotë, e gjithanshem dhe e pa lëkundur. 

Me këtë rast Shqipëria i jep kohë edhe 1 vit Këshillit të Sigurimit dhe fuqive të mëdha të arrijnë paqen mes Rusisë dhe Ukrainës, në të kundërtën ashtu si në rastin e afganëve, iranianëve, afrikanëve dhe arabëve, do të jetë e detyruar ta zgjidhë e vetme problemin.

Ndokush mund të pyesë sa kushton ky operacion dhe çfarë fiton Shqipëria? Kjo pyetje lëndon shumë ndjenjat e Shqipërisë. As që bëhet fjalë për para. Para së gjithash nuk duhet të harrojmë që jemi humanë dhe krejt të përkohshëm në këtë botë. Asgjë nuk do të marrim me vete, vecc veprave të mira..
….Mos harroni Shqipëra vërtet mund ta ketë prapanicën e vogël, por vezën e bën të madhe!

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME