Mediat spanjolle raportojnë sot se një person, që mendohet se është lider i platformës EverFX, e cila ka realizuar super-mashtrimin me vlerë 2.4 miliardë euro, është arrestuar në Barcelonë.
Nuk ka shumë detaje se cili është personi i arrestuar, por deri më tani thuhet se ai kishte fluturuar nga Rumania drejt Barcelonës. Sapo vuri këmbë në Barcelonë, ai u kap nga agjentët spanjollë.
Mendohet se personi i arrestuar ishte përgjegjës për menaxhimin e viktimave spanjolle të këtij manipulimi.
Ky arrestim vjen në kuadër të operacionit të 8 nëntorit. Mediat spanjolle shkruajnë se në atë operacion u arrestuan dy liderë të grupit në Shqipëri. Ata janë Bernardo Saraçaj dhe Erindi Pysqyli, dy partnerët e biznesit të Amant Josifit.
Ky i fundit mendohet se është kreu i bandës që ka kryer manipulimin prej 2.4 miliardë euro.
Edhe SPAK konfirmoi se ai është në kërkim./Syri