Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço ka treguar sot se familja e tij ka rënë pre e grabitjes së pastrueses Rozeta Dobi, e cila i ka vjedhur atij unazën e martesës, por edhe bluzën e djalit. Këtë e kuptoi kur pa një ditë më parë se djali i pastrueses, Havier Dobi, doli para gjykatës për masë sigurie. Aty, thotë Karamuço, Havier Dobi kishte veshur bluzën e djalit të tij.
“Gjatë kohës që ka dalë djali i saj, aty kemi kuptuar që është vjedhur dhe një bluzë në shtëpinë tonë. Ishte bluza e djalit dhe ai ma çoi me foto, më tha: “O ba kjo është bluza ime tha”. I thashë lëre.
E kishte veshur aty kur po merrte masën e sigurisë. I thashë lëre bluzën se do thotë “e kam blerë në dyqan” dhe nuk do t’ia dish dot. S’do t’ia dalim dot ta marrim bluzën mbrapsht. Mbylle këtë histori i thashë njëherë e mirë. Dhe nuk u morëm më”, – tregoi Karamuço në emisionin “Opinion”. Ai tregoi se si pastruesja në fjalë i kishte marrë unazën e martesës ku ishte i shkruar edhe emri i tij.
“Ditën e diel kisha dalë me familjen, më mori policia në telefon. Vitin e kaluar kemi pasur prezencën e saj për disa kohë. E gjeta nëpërmjet kolegëve. Vitin e kaluar kishim nevojë për një pastruese për shkak të problemeve shëndetësore të bashkëshortes. E morëm.
Qëndroi rreth 4-5 muaj. Vinte 3 herë në muaj. Me një pagesë 2 mijë lekë për çdo herë. Por ka ardhur në mënyrë të çrregullt sepse kishte shumë punë. Kishte mbi 20 familje që ajo mbante. Më merr policia, më thotë profesor mund të vini pak në komisariat sepse kemi identifikuar nga tablatet e telefonit që kjo ka folur me ne. Gruaja ime e kishte marrë dhe para një jave i thoshte: “Jo jam me dhimbje koke”. Tani ngjan si ftesë për hajdutin prapë.
Unë e kam kërkuar unazën diku në shtator, për shkak se leva shtëpinë dhe fillojnë lëvizin këto orenditë edhe ku është unaza. Filloi edhe një debat në shtëpi: “Ku e ke unazën”. 3-4 muaj hë se do dali dhe nuk doli asnjëherë. Do bëja një status dhe do të thosha se “pastruesja që desh më ndau nga gruaja”. Ndërkohë që komisariati e kishte gjetur në banesën e saj. Vajta bëra një deklarim në polici që e njihja si send. Ky është imi. Kur vajta në komisariat e vura në gisht.
Tek ne vetëm unazën besoj ka marrë. Ajo ka 20 vjet që punon dhe ka hyrë në shumë shtëpira. Madje kur vinte që diskutonte me nënën ca kohë mbaj mend që thoshte: “Në çfarë shtëpirash shkoj unë”. Pra kishte një nivel shumë më të lartë nga ajo shtëpi modeste që shikonte tek ne” – rrëfeu ai.