Saturday, November 23, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËOPINION/ ANALIZËTirana tregoi se është një qytet europian

Tirana tregoi se është një qytet europian

Nga Lindita Kokoli-

Shqipëria ishte këto ditë lajm europian në botën e futbollit, por jo vetëm. Ndeshja u transmetua në 155 shtete të botës, sipas UEFA-s. Në dy ditë u ulën në aeroportin e Rinasit 306 avionë, sa as në endërr nuk e kishin parë autoritetet shqiptare.

Erdhën afro 70 mijë tifozë italianë dhe holandezë. Policia e shtetit shqiptar tregoi se është e aftë të menaxhojë jo vetëm tifozët italianë, por edhe ata holandezë që njihen si me rrëmujaxhinjtë, pas anglezëve.

Bashkia e Tiranës tregoi jo vetëm se ka investuar në një qytet që u pëlqye nga të huajt, por edhe një shërbim perfekt dhe të shpejtë, duke krijuar një atmosferë magjepsëse kudo nëpër kryeqytet.

Edhe ato përplasje tifozësh natën e parë, ishin tregues se si policia shqiptare di të menaxhojë çdo situatë. Nuk duhej të ndodhte, por kudo nëpër qytetët kryesore europiane përplasjet mes tifozerive nuk mund të menaxhohen kollaj. Ndërsa në Tiranë gjithçka e kontrolluan dhe qetësuan në çast.

Në kohë rekord Bashkia e Tiranës pastroi gjithçka, duke e kthyer qytetin në normalitet e të pastër, a thua nuk kishte patur ndeshje dhe tifozë të zhurmshëm.

Kupa u fitua nga Roma e trajnerit të madh botëror, Murinjo. Pas trofeut trajneri i madh portugez tha se luajtën në një stadium të bukur dhe të nivelit europian.

Pasndeshja u menaxhua edhe më shpejt, ku bashkia e Tiranës pastroi në kohë rekord gjithçka sa sot çdo gjë ishte në vendin e vet dhe jeta vazhdon normalisht.

Policia dhe Rinasi përcollën me kulturë dhe shpejt tifozët e huaj.

Tani Tirana është lajm europian për stadiumin e bukur, për sjelljen korrekte të policisë, për komoditetin dhe klimën miqësore dhe turistike që krijoi Bashkia e kryeqytetit.

Tirana u vërtetua që është qytet krejtësisht europian.

Por një analizë e kërkon finalja e zhvilluar në Tiranë.

Stadiumi i ri, tha trajneri i madh Murinjo, është i bukur, europian. Kur e thotë Murinjo që nuk ka lënë stadium pa shkelur në Europë dhe botë, nuk ka nevojë për koment se kush ishte ideatori i këtij stadiumi.

Kryeministri Rama, asokohe kur vendosi shembjen e stadiumit të vjetër u sulmua nga opozita. Edhe nga media. U thanë e çfarë nuk u tha atëkohë kundër Edi Ramës! Por e drejta shkon te kryeministri në këtë rast. Ideja e tij rezulton se u bë realitet, edhe një finale të madhe europiane e zhvilluan në Tiranë, te ky stadium.

Edi Rama e kaloi provimin publik dhe asnjë nuk mund të thotë me shumë se sa e deklaroi i madhi trajnier, Murinjo.

UEFA e zhvilloi ndeshjen në Tiranë, falë stadiumit të ri, por janë edhe disa kërkesa të tjera që duhet të plotësosh për të qenë kryeqendra e futbollit në një natë; duhen edhe hotele cilësore, shërbime etj. Edhe këto janë ndërtuar, pra janë dhënë leje nga bashkia dhe kjo tregon se vizioni bashkiak tiranas ka qenë parashikues. Duhet aeroport cilësor dhe polici profesionale. Edhe këto dolën se janë në nivel europian.

Natyrisht një meritë e ka edhe Armand Duka, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit që me mekanizmat dhe lidhjet e tij në UEFA, e solli ndeshjen në Tiranë.

Por po të mos ishin plotësuar kushtet e tjera që sapo thamë, ndeshja nuk bëhej në Shqipëri.

Tirana ishte lajm botëror. Dhe akoma është. Tifozët nesër do kthehen në turistë në kryeqytetin tonë dhe në Shqipëri, pasi ishin jo pak, por afro 70 mijë veta, dhe secili veçmas kthehet në përhapës të lajmit se në Tiranë kalohet bukur, qytet europian dhe turistik. Pra marketingu që i vjen Shqipërisë nga kjo ndeshje do të jetë mahnitës dhe do të ndiejnë gjatë verës dhe vitit, të gjithë që kryejnë shërbime në fushën e turizmit.

Pas stadiumit të ri që kaloi provën e madhe eurpiane dhe publike, mbrëmë, kam filluar të mendoj se edhe Teatrin e ri Kombëtar, qeveria qendrore dhe lokale e Tiranës do ta bëjnë të mrekullueshëm, natyrisht duke mos harruar ruajtjen e vlerave të Teatrit të vjetër.

Edi Rama dhe Erion Veliaj kanë ide të bukura, projekte dhe vizion, ndonëse kryeministri i realizon forcërisht ose pak dhunshëm. Por fakti që stadiumi na bëri krenar para botës, tregon se paska patur të drejtë, Edi Rama.

Natyrisht që nuk po harrojmë disa të këqija të qeverisjes së tij, të cilat po të ketë opozitë serioze dhe të besueshme, kryeministri nuk do ti bënte.

Por ky fat na ra!  Që Edi Rama është vetë edhe mazhorancë, edhe opozitë!

Por që të kthehemi te finalja e madhe europiane, mund të themi sinqerisht: Bravo qeveri dhe pushtet lokal i Tiranës! Nderuat vendin, kombin, por natyrisht edhe veten tuaj me këtë super ngjarje, e cila ka rritur imazhin e Shqipërisë në botë.

Për kritikat kemi plot ditë përpara!

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME