Kapet 1.1 tonë kokαinë në Vigo të Spanjës, shumica shqiptarë mes 9 të arrestuarve
“Bαndαt shqiptare kanë fituar rëndësi në Spanjë duke futur ngarkesa të mëdha me një lëvizje, ndonjëherë edhe dhjetëra tonë. Evropa po përmbytet me kokαinë, sipas ekspertëve”. Kështu nis një shkrim në median spanjolle “La voz de Galicia” për një operacion antidrogë në portin e Vigo dhe ku u sekuestrua 1.1 tonë kokαinë. 9 persona u vunë në pranga, shumica e të cilëve shqiptarë.
Ministri i Brendshëm i Spanjës Fernando Grande-Marlaska e cilësoi si “të rëndësishëm” operacionin e zhvilluar. Droga ishte fshehur në një kontejner të shkarkuar nga anija tregtare “Cape Citius” me flamur të Qipros, e cila u ankorua në portin e Vigos në mesjavë përpara se të vazhdonte rrugën për në Malaga. Në mesin e 9 të arrestuarve ka një ose dhe më shumë drejtues, prandaj konsiderohet si një goditje e madhe policore.
Në fund të vitit të kaluar u zbulua një tjetër kontejner i shkarkuar në Vigo me gjysmë ton drogë. Policia duhej të skanonte 100 kontejnerë për të gjetur mallin e paligjshëm. Anija, Izmit Express, mbante flamurin maltez dhe vinte nga Ekuadori. Në operacionin e kësaj jave, ka shumë gjasa që banda ballkanike të planifikonte të merrte në mënyrë të fshehtë kontejnerin me drogë dhe ta fshihte në një bazë në periferi të Vigos. Për të bërë këtë, grupi shqiptar kishte udhëtuar në Vigo. Disa prej të ndaluarve ishin shoferë.
Efektivët po e ruanin kontejnerin edhe pse kishte zëra se banda mund ta hapte kontejnerin dhë vidhte nga aty drogën. Megjithatë sasia shumë e madhe e saj do të kërkonte shumë personel, automjete dhe kohë për të hequr pakot, gjë që rriti shumë rrezikun për t’u zbuluar. Arrestimi ishte spektakolar sepse shumë anëtarë të bandës u kapën nga policia në afërsi të stacioneve të autobusëve dhe trenave të qendrës tregtare Vialia, të mbushur me vizitorë.
Fakti që të dyshuarit ishin afër stacionit tregon se ata ose do të takoheshin për të organizuar largimin e ngarkesës ose po planifikonin të iknin kur kuptuan se policia kishte zbuluar kontejnerin.
9 të arrestuarit do të dalin para gjykatësit të premten në mëngjes. Sasia e saktë e drogës është në pritje të peshimit zyrtar. Operacioni është ende në vazhdim dhe është konsideruar sekret, ndaj nuk përjashtohen arrestime të reja në orët e fundit. Porti i Vigos në Spanjë po bëhet porta e dërgesave të konsiderueshme të drogës. Disa vite më parë, çantat e shpinës me 50 apo 100 kilogramë drogë vinin të kamufluara mes frutave. Ishte e vështirë të gjeje dërgesa prej gjysmë toni apo më shumë se një mijë kilogramë, siç ka ndodhur muajt e fundit.
Prania e shqiptarëve në Galicia dhe jo vetëm që nuk është sekret, por kreu i bandës që u gjykua për anijen e drogës “Karar” i përmendi ata në një seancë të zhvilluar së fundmi në Vigo. Ai u përplas me një dëshmitar të policisë dhe i bërtiti gjykatës para se ajo ta nxirrte jashtë: “Nuk ishim ne që pimë duhan, ishin shqiptarët”.
“Këto banda ballkanike kanë krijuar një rrjet vertikal në Amerikën Latine për të blerë drogën me çmimin më të lirë, pa ndërmjetës dhe më pas nënkontraktojnë transportin për në Evropë. Ata kanë kontroll financiar dhe logjistik dhe me formulën e tyre mund të lëvizin deri në 13 tonë kokainë në një ngarkesë” – thuhet në shkrimin e ““La voz de Galicia”.