POLITIKË

Bardhi: Rama të fliste pse kandidoi Ballukun që hetohet nga SPAK

Gazment Bardhi, kandidati i PD për qarkun e Fierit, ka reaguar pas vizitës së Edi Ramës në këtë qytet, duke e akuzuar kryeministrin për riciklim të premtimeve të pambajtura dhe për mbrojtje të njerëzve të përfshirë në afera korruptive.

“Nëse dëgjon Edi Ramën, objektivat e tij për Fierin janë po aq të vërteta sa shëndetësia falas, legalizimet falas, subvencionet në bujqësi, ulja e taksave apo rritja e pensioneve,” shkruan Bardhi në një postim në rrjetet sociale.

Ai e akuzon kryeministrin se nuk u dha asnjë shpjegim qytetarëve përse ka vendosur në krye të listës për Fierin një kandidat të dyshuar për abuzime me miliona euro dhe që është zyrtarisht nën hetim nga SPAK.

“Harroi të shpjegojë edhe pse strehoi në listën e PS ‘mallrat e importit të Belindës’ si Ceno Klosin apo Klevis Jahajn, të akuzuar për korrupsion dhe abuzim me pushtetin,” shkruan Bardhi.

Në prag të zgjedhjeve të 11 majit, opozita po përqendron fushatën në denoncimin e lidhjeve të qeverisë me korrupsionin dhe aferat e SPAK-ut, duke e paraqitur listën e PS si një vazhdim të praktikave të vjetra të pushtetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button