
Edi Rama na ndriçoi me një tjetër predikim nga Fieri, ku, me një ton krenar, u kujdes të shpjegojë se kush e bëri reformën në drejtësi. Dhe, siç e ka përsëritur herë tjetër, nuk ishin ndërkombëtarët, nuk ishte as presioni i ambasadave, as fakti që Shqipëria kishte hyrë në një batak korrupsioni të pakthyeshëm – jo, e bëri Partia Socialiste.
I vetëdijshëm, që do sakrifikonte elitën e partisë së tij, Rama ende sot e tund flamurin e drejtësisë së re me mburrje. Dhe atyre që i thonë se hajdutët që arrestoi SPAK ishin bashkëpuntorët e tij më të ngushtë, Rama u përgjigjet:
“Qajnë hallin tim, t’i kapën thonë? Ca më kapën? Kjo familje është një bie mijëra ngrihen, ne jemi 800 mijë do shkojmë 1 milion në 11 maj këta thonë ti kapën.”
Deklarata gjithsesi duket sikur e bën akoma më të paqartë qëndrimin e PS për luftën kundër korrupsionit, sepse mund të ketë shumë përkthime.
A mos ndoshta Rama po na thotë me sinqeritet të jashtëzakonshëm se për çdo socialist që kapet duke vjedhur, ka mijëra hajdutë të rinj që e presin me padurim vendin e lirë? Se për çdo kriminel që mbështet PS dhe kapet nga SPAK-u, dhjetë të tjerë janë gati në radhë? Se për çdo oligark që shqelmohet nga pazari, një tjetër po bëhet gati të marrë vendin e tij?
Me këtë logjikë, reforma në drejtësi ngjan me një alibi për të luftuar korrupsionin, që ndërkombëtarëve t’u duket se Shqipëria është më pranë Bashkimit Europian. Sepse në realitet, sistemi mbetet në këmbë dhe kur një hajdut bie, mijëra të tjerë ngrihen dhe nuk e lënë të shembet.