POLITIKË

Mes inskenimit dhe rrëmbimit mafioz/ Daniel Shima, dëshmitari që u zhduk në Tiranë

Dyshimet për zhdukjen e Daniel Shimës, ish-numrit dy të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit lëvizin në dy pista delikate dhe në të dyja është e rëndësishme të ketë një bazë të mirë të fakteve.

E para është se largimi pa lënë gjurmë është një inskenim, i organizuar nga vetë Shima.

Prej më shumë se një viti, Shima është gjendur nën presione të forta. Jo vetëm se është thirrur për t’u marrë në pyetje në SPAK për një hetim në lidhje me tenderat e institucionit, por më pas është shkarkuar nga posti i rëndësishëm që mbante. Prej marsit të vitit 2024 nuk është më zv.drejtor i institucionit pasi u shkarkua nga shefja e tij Mirlinda Karçanaj.

Policia është në kërkim të filmimeve nga kamerat e sigurisë në rrugët e Tiranës. Mesditën e kësaj të enjteje, ai ka pasur kontaktet e fundit me familjen. Në media është raportuar se mesazhi që Shima i ka dërguar të shoqes ishte “Po më arrestojnë”, por zyrtarisht policia u mjaftua me një njoftim të shkurtër, pa shumë detaje. Ajo që dihet zyrtarisht është se denoncimi u bë nga e ëma e Danielit rreth orës 17:00. Duket se ajo kishte shkuar bashkë me të shoqen e Daniel Shimës për të kërkuar të birin që “e kishin arrestuar”, por ky informacion rezultoi i rremë.

Pista e dytë është një version më ogurzi. Rrëmbimi në formën e një arrestimi, nga persona të veshur me uniforma policie ka ndodhur në disa ngjarje kriminale, ku veçohet rasti i Enver Stafukës. Interesat që përplasen tek AKSHI ku punoi Daniel Shima dhe ku qarkullojnë dhjetëra apo qindra miliona euro, janë aq të mëdha saqë përdorimi i grupeve kriminale për të mbrojtur “biznesin” nuk duhet përjashtuar si opsion. Çdo orë që kalon pa zbuluar gjurmët e Daniel Shimës e përforcon këtë skenar.

Paralajmërimi i Ahmetajt: “Danieli u kërcënua nga drejtpërdrejt nga Edi Rama”

Shkarkimi i Daniel Shimës si zv.drejtues nga AKSHI në mars 2024 nuk u shoqërua me ndonjë bujë mediatike. Shima nuk konsiderohej një figurë publike dhe lëvizja e një zv.drejtori në administratë përgjithësisht nuk përbën lajm. Por fakti që firma e shkarkimit të tij nga puna u hodh në 19 mars 2024 ditën që Mirlinda Karçanaj u mor në pyetje nga SPAK është një detaj që nuk mund të anashkalohet, pasi konfirmon përplasjen e brendshme mes tij dhe Karçanajt për një çështje korrupsionin nën hetim.

Emri i Daniel Shimës nuk do të kishte bërë bujë edhe për denoncimin e familjarëve të tij, sikur Arben Ahmetaj, ish-zv.kryeministri i larguar në Zvicër të mos e kishte përmendur në një nga intervistat e tij për kërcënimet direkte që kishte marrë Danieli nga kryeministri Edi Rama.

Arsyet e kërcënimit Ahmetaj nuk i dha, por la të kuptohej se lidhen me hetimin për tenderat e AKSHI.

“AKSHI është tmerr. Danieli është kërcënuar. Tani ata që e kuptojnë e dinë shumë mirë që të mbylli gojën. Danieli është kërcënuar nga vetë kryeministri që të mbyllë gojën. Le të dalë e të bëjë batuta, jo tha… Po, drejt për së drejti. Ta thashë edhe njëherë, le të dalë me batuta. Ky i kërkuari, ky derri në pyll, ky pa atdhe” deklaroi atëherë Ahmetaj.

https://www.facebook.com/plugins/video.php?height=315&href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2FSaliBerisha%2Fvideos%2F613438638255919%2F&show_text=false&width=560&t=0
Për akuzën se ka kërcënuar personalisht një punonjës të administratës, kryeministri Edi Rama nuk ka folur asnjëherë. Por Ahmetaj e sqaroi se Danieli përveç postit drejtues tek AKSHI ishte edhe “ish-punonjës i ABS”, një emër me të cilën iu referua kompanisë “Advanced Business Solutions”. Kjo kompani i përket baxhanakut të Edi Ramës, Armand Frangu. Ishte përfshirja e familjarëve të kryeministrit në aferat e AKSHI, që e detyruan Ramën të ndërhyjë personalisht duke kërcënuar Daniel Shimën, sipas Arben Ahmetaj.

Milionat e AKSHI-që të çojnë te familja e Ramës

Në dëshminë që dha në janar të 2025, ish zv/kryeministri Arben Ahmetaj shpjegoi se
Edi Rama ka ndërhyrë personalisht, sepse nëse do të ndiqej paraja nga SPAK, rruga do t’i çonte hetuesit në Surrel.

Ish zv/kryeministri ka treguar tek “Çim Peka live” fakte dhe të dhëna për të paktën një projekt plot 15 milion euro, atë për laboratorët e AKSHI-t, të cilin e ka fituar kompania, që rezulton e baxhanakut të kryeministrit Rama. Për këtë aferë skandaloze, Ahemtaj tha se SPAK nuk pati këllqe të hetojë deri në fund dhe se në fund të vitit 2024 u grisën dy fletë- arreste, si pasojë e ndikimit të kryeministrit mbi organet e drejtësisë.

Për rastin në fjalë Ahmetaj evidentoi dy aspekte. Së pari që projekti 15 milion euro rezulton një vjedhje e frikshme dhe së dyti, se paratë e grabitura të çojnë te familja e Edi Ramës. Për faktin se projekti është një grabitje, Ahmetaj tha se mjafton të shihen regjistrat doganorë për të konstatuar se me çfarë çmimi janë futur në Shqipëri pajisjet e laboratorëve dhe se më pas janë faturuar dhjetë fish më shumë. “Gërmoni këto, shkoni në doganë, po qe se nuk gjeni 10-fishin e kostos si fitim atëherë kthehuni tek unë”, deklaroi Ahmetaj.

Ish numri i dy i qeverisë Rama, denoncoi gjithashtu se projekti 15 milion euro është bërë pa tender të hapur, madje nuk është botuar fare si thirrje për aplikim. “Gjejeni të botuar! E ka marrë kompania First dhe ‘folloë the money’”, tha Ahmetaj duke sjellë më pas të dhëna se kjo kompani është e lidhur me kryeministrin Edi Rama.

“AKSHI është kopshti privat i kryeministrit, ku njerëz të lidhur me familjen e tij, bëjnë çfarë ju do qejfi… Kam një ekstrakt tatimesh. Ju them gazetarëve investigativë, ‘folloë the money’, le të thotë Rama do ta gri maskarain, për mua, dhe le të thotë Altin Dumani e kam personale. Pyetje për gazetarët investigativë: Si është fshehur ish- kompania ABS tek kompania AIBS? Mund të bëni një kontroll se te SPAK-u s’kam besim. Kompania e baxhanakut”, deklaoi Ahmetaj, i cili bëri dhe një skanim të fitimeve dhjetra fish të kompanisë në fjalë.

“Shikoni sa interesante. Në vitin 2021, kjo kompania që thashë si është fshehur ABS në AIBS, ka pas të ardhura totale në 2021 afërsisht 2 milionë dollarë dhe shpenzime totale i ka 200 mijë dollarë. Në ç’vend të botës keni parë ju që të harxhosh 200 mijë dollarë dhe të fitosh 2 milionë? E kuptoni, 10 fishin e kostos? Pastaj në 2022 të ardhurat totale shkojnë tek 3.1 milionë dollarë, shpenzimet totale i ka vetëm 97 mijë dollarë, pra fitimi është 2.9 milionë dollarë. Ku keni parë që të shpenzosh 1 euro dhe të fitosh 10 euro. Po pse mo, Elon Musk janë këta? Korrupsion i hapur”, tha Ahmetaj në mbështetje të tezës së tij se AKSHI është kopshti privat i Edi Ramës.

“Meqë skeptikët deshën fakte. Merrini, ndiqni këto. ‘folloë the money’ që t’u çojë tek familja”, ishte sfida e Ahmetajt.

Më herët, Ahmetaj kishte deklaruar se ekziston një përgjim ambjental që implikonte familjarë të kryeministrit dhe që gjendej në SPAK, ku dëshmohej qartë ndikimi mbi drejtuesit kukulla të Agjensisë.

“Ka 8 muaj që investigohet AKSHI. Është bërë një përgjim ambiental që është në SPAK. Mund ta zhdukin po dikush e ka një kopje të kësajdhe më ka garantuar që një kopje e saj është në një kuti. Është bërë përgjim ambiental ku është përfshirë familja e kryeministrit te AKSHI, 43 milionë euro me prestanome. I është përmendur emri për shumë gjëra. Që nga ajo ditë, ABS që është një prestanome e kryeministrit iu këput filli se u thirr në SPAK dhe deponoi. Unë e di se çfarë ka thënë. Tani është në kontroll të dikujt tjetër AKSHI. Danieli, një ish-punonjës është kërcënuar që të mbyllë gojën. Nga kryeministri vetë.” – tha Ahmetaj.

Ahmetaj nuk sqaroi nëse përgjimi ishte për baxhanakun e kryeministit Rama, Armand Frangun apo për bashkëshorten e tij Linda Ramën, por ai përfshiu në këto akuza edhe eminencën gri të kryeministrit, Ergys Agasi, për të cilin tha se komandon praktikisht gjithë aktivitetin e AKSHI-t.

Askush nuk mund të flasë me siguri sot për fatin e Daniel Shimës, por rrethanat që i paraprijnë denoncimit të familjarëve të tij nuk paralajmërojnë asgjë të mirë. Por, nëse në ditët në vijim kërkimet do të zvarriten dhe të rejat në lidhje me ngjarjen do të shuhen dhe censurohen në media, mund të thuhet se bashkë me Danielin ka humbur edhe vija që ndan mafian me shtetin./ Lapsi.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button