
Krimi i organizuar në Shqipëri nuk shihet më vetëm si aktivitet i grupeve kriminale, por si një fenomen që po depërton në ekonomi, po ndikon vendimmarrjen publike dhe po sfidon kapacitetin e shtetit për të ushtruar kontroll. Ky ishte një nga konkluzionet kryesore të një tryeze të rrumbullakët ku u prezantua një raport i Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes mbi qasjen administrative ndaj krimit të organizuar.
Në diskutim morën pjesë përfaqësues të partive politike, studiues, përfaqësues të komunitetit diplomatik dhe organizata të shoqërisë civile, të cilët u përqendruan te masat parandaluese kundër krimit të organizuar dhe mënyrat për të penguar infiltrimin e tij në bizneset e ligjshme dhe në ekonominë formale.
Studimi, i fokusuar në katër qarqe, Elbasan, Shkodër, Durrës dhe Vlorë, ngre pikëpyetje mbi efektivitetin e instrumenteve që shteti ka në dispozicion për të parandaluar këtë fenomen. Sipas gjetjeve të raportit, megjithëse Shqipëria ka një gamë të gjerë mekanizmash ligjorë dhe administrativë për të luftuar krimin e organizuar, këto instrumente shpesh funksionojnë të fragmentuara, pa analiza të përbashkëta risku, pa shkëmbim të strukturuar informacioni dhe pa një mbikëqyrje strategjike të koordinuar.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, theksoi se pengimi i depërtimit të krimit në ekonominë e ligjshme është një element kyç për forcimin e shtetit ligjor dhe për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
“Bllokimi i aksesit të krimit në ekonominë e ligjshme forcon përpjekjet tradicionale për të luftuar krimin e organizuar. Duke përdorur mjete si heqja e licencave, verifikimi i pjesëmarrjes në tenderë publikë dhe sanksionet bashkiake, autoritetet krijojnë barriera që i pengojnë kriminelët të depërtojnë në bizneset e ligjshme. Kjo qasje efektive kundër krimit të organizuar është thelbësore për integrimin e suksesshëm të Shqipërisë në BE,” tha Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.









