Shifrat/ Shpopullimi boshatis shkollat rurale, nxënësit përqendrohen në qendrat e qyteteve

Fier – Shpopullimi i zonave rurale dhe lëvizjet demografike kanë sjellë mbylljen e kopshteve dhe shkollave të vogla, ndërsa çdo fillimviti të ri shkollor nxënësit po përqendrohen gjithnjë e më shumë në shkollat e bashkuara në qendrat e zonave të banuara.
Referuar të dhënave të marra nga drejtoritë arsimore të bashkive, në disa prej zonave rurale shkollat 9-vjeçare dhe të mesme funksionojnë tashmë si shkolla të bashkuara, duke mbledhur nxënës nga disa fshatra përreth.
Në Mallakastër, shkolla e bashkuar e Fratarit mbledh nxënës nga fshatrat Drizar, Damës, Gadurovë, Kremenar, Corrush, Kut, Bejar dhe zona të tjera përreth. E njëjta situatë është edhe në Aranitas, ndërsa në qendrën e Bashkisë Mallakastër, në qytetin e Ballshit, nxënësit e disa njësive administrative orientohen drejt shkollave të përqendruara në qendër.
Fenomeni është i dukshëm edhe në Bashkinë Rroskovec dhe në Bashkinë Patos, ku numri i nxënësve të regjistruar ka pësuar rënie, si në klasat e para, ashtu edhe në arsimin 9-vjeçar dhe atë të mesëm.
Ndryshe paraqitet situata në Bashkinë Fier, ku këtë vit është shënuar rritje e numrit të nxënësve të regjistruar. Megjithatë, edhe këtu vihet re një tendencë për përqendrimin e arsimit të mesëm. Nxënës nga zona e Levanit, Qarrit, Boçovës, Frakullës, Semanit, Darrzexës dhe zonave të tjera po orientohen drejt shkollave të mesme në qytetin e Fierit.
Kjo situatë tregon se ndryshimet demografike po ndikojnë drejtpërdrejt në hartën e arsimit në qarkun Fier, duke reduktuar numrin e nxënësve në shkollat rurale dhe duke rritur përqendrimin e tyre në qendrat urbane dhe zonale.
Informacion për fillimin e vitit shkollor 2026-2027
Viti shkollor 2026-2027 fillon në datën 14 shtator në 212 shkolla 9-vjeçare, 55 shkolla të bashkuara (nga klasa 1-12) dhe në 38 shkolla të arsimit të mesëm të lartë (gjimnaze dhe shkolla të orientuara artistike) në rajonin e DRAP Fier. Në këto shkolla janë regjistruar 36 190 nxënës të arsimit bazë dhe 11 587 nxënës në gjimnaze dhe shkollat e mesme artistike, gjithsej numërohen 47 777 nxënës.
Në qarkun e Fierit do të funksionojnë 129 shkolla 9-vjeçare, 26 shkolla të bashkuara dhe 16 shkolla të arsimit të mesëm të lartë publik, mes tyre një shkollë e bashkuar me orientim artistik. Numri i përgjithshëm i nxënësve në qarkun e Fierit është 25 951, ose 54% e totalit të rajonit, pak më shumë se numri i nxënësve në qarqet e Vlorës dhe Gjirokastrës, pjesë përbërëse e zonës në juridiksionin e DRAP Fier.
Prindërit e nxënësve të klasave të para dhe të dhjeta kanë pasur mundësi t’i regjistrojnë fëmijët e tyre në shkolla, vetëm nga llogaria e tyre në portalin e-Albania, në dy periudha në muajt korrik dhe gusht, deri në 7 shtator. Në klasat e para në rajonin e DRAP Fier janë regjistruar 3374 nxënës të rinj, ndërsa në klasën e dhjetë në gjimnaze dhe shkolla të mesme artistike në rajon u regjistruan 4241 nxënës. Në nivel të qarkut Fier janë 1811 nxënës të rinj në klasën e parë, ndërsa në arsimin e mesëm të lartë (gjimnaz dhe artistik) u regjistruan 2393 nxënës.
Nga institucionet arsimore, institucionet vendore përgjegjëse për arsimin parauniversitar dhe DRAP Fier janë marrë masat e nevojshme për të filluar pa asnjë problem vitin e ri shkollor.
Është administruar procesi i përzgjedhjes dhe porositjes së teksteve të reja shkollore në përdorim falas në arsimin publik bazë, për klasat I, VI, VIII, IX. Për rastet kur tekstet e përdorura nga nxënësit e një viti më parë janë të dëmtuar, është bërë zëvendësimi i tyre me libra të rinj. Përfitues të testeve falas janë edhe kategori të veçanta, nxënës nga familje me ndihmë ekonomike, ose nga komunitetet e margjinalizuara, të cilët ndjekin arsimin e mesëm të lartë publik (gjimnaze dhe shkolla artistike).
Një zhvillim i ri në sistemin arsimor në fillimin e vitit shkollor 2026-2027 është Programi “Pas Shkolle” që rikoncepton programet e zbatuara më parë “Bëjmë detyrat e shtëpisë” dhe “Art, zeje, Sport”. Aktualisht në rajonin e DRAP Fier 90 shkolla publike të të gjitha cikleve (47 në qarkun e Fierit) kanë hapur aplikimet për 139 klasa pas orarit të zakonshëm, ku nxënësit e arsimit bazë do të bëjnë detyrat e shtëpisë për të nesërmen dhe 364 klube pas shkolle në fushën e muzikës, kërcimit, artit pamor, teatrit dhe zejeve. Programi i mëparshëm “Art, zeje dhe Sport” ka pasur në përfundim të tij 67 shkolla në rajon, prej të cilave 38 në qarkun e Fierit.
Programi i kodimit në arsimin fillor (Element IT) dhe SmartLab në arsimin bazë zgjerohet këtë vit në klasën e gjashtë, duke përfshirë në nivel rajoni mbi 2 900 nxënës të klasave të para dhe 10 935 nxënës të klasave 2-6 në 298 shkolla publike (prej të cilave 148 në qarkun e Fierit).
Ne DRAP Fier jane 6 institucione arsimore qe hapin dyert per nxenesit pas rikonstruksionit, 3 prej te cilave jane ne qarkun e Fierit.
Arsimi në Fier, Patos, Roskovec dhe Mallakastër – më pak nxënës, shkollat rurale drejt përqendrimit në qëndra të banuara.
Viti i ri shkollor nis me një tjetër sinjal të rënies demografike në zonat e bashkive të qarkut Fier. Të dhënat e ZVAP-ve tregojnë ulje të numrit të nxënësve në disa prej bashkive, ndërsa shkollat në zonat rurale vijojnë të përballen me regjistrime të ulëta dhe procesin e përqendrimit të nxënësve në shkollat qendrore.
Në Bashkinë Patos, për vitin shkollor 2026–2027 janë regjistruar deri tani 1547 nxënës. Prej tyre, 115 janë në klasën e parë, 1206 ndjekin arsimin 9-vjeçar, 137 janë në klasën e dhjetë dhe 108 janë maturantë. Në total, arsimi i mesëm numëron 341 nxënës.
Krahasuar me vitin e kaluar, kur numri i nxënësve ishte rreth 1750, këtë vit rezultojnë rreth 200 nxënës më pak. Në Patos funksionojnë 2 shkolla të bashkuara, 1 shkollë të mesme dhe 6 shkolla 9-vjeçare. Në zonat ku numri i nxënësve është i ulët, vijon organizimi i klasave dhe shkollave varëse pranë institucioneve qendrore.

Në Roskovec, rënia është gjithashtu e dukshme. Numri i përgjithshëm i nxënësve këtë vit është 2051, ndërsa një vit më parë ishin 2218, pra 167 nxënës më pak.
Nga totali, 1501 nxënës ndjekin arsimin 9-vjeçar, ndërsa rreth 131 janë në klasat e para. Në arsimin e mesëm të lartë janë 205 nxënës në klasën e dhjetë dhe rreth 182 maturantë.
Në Roskovec funksionojnë 12 shkolla: 9 shkolla 9-vjeçare, 1 gjimnaz i bashkuar, 1 gjimnaz i përgjithshëm dhe 1 shkollë private që përfshin arsimin 9-vjeçar dhe gjimnazin. Për këtë vit nuk raportohet mbyllje shkolle, ndërsa të 11 shkollat publike janë pjesë e programit “Pas Shkolle”.

Në Mallakastër, të dhënat e disponueshme për vitin e kaluar tregojnë 63 nxënës në arsimin fillor, 151 në klasat e dhjeta dhe 157 maturantë. Të dhënat e plota krahasuese për këtë vit arsimor nuk janë vënë në dispozicion, ndaj nuk mund të përcaktohet me saktësi ndryshimi vjetor për totalin e nxënësve. Mësohet se shkollat e bashkuara mbledhin nxënlzit e zonavw Fratar, Aranitas, Ballsh.
Ndërkohë, Bashkia Fier tregon një tendencë të përqendrimit të nxënësve në shkollat e qytetit, ndërsa një pjesë e shkollave në periferi dhe zonat rurale janë boshatisur ose kanë numër shumë të ulët nxënësish. Kjo ka sjellë bashkimin e klasave kolektive dhe shkollave varëse me shkollat qendrore, ndërsa për nxënësit e zonave rurale parashikohet transporti drejt shkollave më të afërta nunuri total i mxënësve për bashkimë Fier nuk i kalon të 17500
Pra, shifrat e këtij viti tregojnë një panoramë të qartë: më pak nxënës në Patos dhe Roskovec, presion demografik në zonat rurale dhe një përqendrim gjithnjë e më të madh të arsimit drejt qendrave urbane. / Alb365 / Xhemil Beharaj










