Armando Broja ishte përfolur si një nga lëvizjet e mundshme të sulmit të West Ham për sezonin e ardhshëm, mirëpo me Chelsean dhe trajnerin Thomas Tuchel që nuk bindej për ta lënë në huazim shqiptarin, ka bërë që West Ham të fokusohej te një tjetër futbollist.
Së fundmi, “The Hammers” kanë zyrtarizuar goditjen e merkatos teksa kanë firmosur me Gianluca Scamacca nga Sassuolo me klubin italian që do të përfitojë plot 36 milionë euro plus gjashtë tjera në bonuse.
Në këto kushte Broja i largohet pretendentit kryesor për transferimin e tij dhe ndërmerr një hap më shumë drejt qëndrimit te Chelsea.
Nga ana tjetër, Sassuolo ka arritur të ruajë edhe 10% të kartonit të sulmuesit të kombëtares italiane në rast të një shitje të mundshme në të ardhmen.
Në orët e ardhshme, lojtari i datëlindjes së vitit 1999 do të udhëtojë për në Londër ku do të kryejë vizitat mjekësore dhe për t’u prezantuar si lojtari më i ri i West Ham.
Kujtojmë se për Scamaccan që sezonin e fundit në Serie A shënoi 16 gola në 36 ndeshje kishte interes edhe nga ana e PSG, por në fund anglezët triumfuan falë një oferte me shumë leverdi për Sassuolon që duket sikur sapo ka mbyllur marrëveshjen më të mirë në historinë e saj.