AKTUALITET

Aksident në aksin e vjetër Fier-Vlorë/ Automjeti përplas këmbësorin, i plagosuri dërgohet me urgjencë në spital

Një aksident rrugor është regjistruar pak minuta më parë në aksin e vjetër Fier-Vlorë, ku dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin.

Si pasojë e përplasjes, njëri prej automjeteve ka humbur kontrollin dhe ka përplasur një këmbësor që ndodhej në rrugë. Ky i fundit ka mbetur i lënduar dhe është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal Fier, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.

Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e aksidentit kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat po kryejnë veprimet procedurale dhe po menaxhojnë situatën.

Ndërkohë, grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat dhe për të përcaktuar shkaqet që çuan në këtë aksident.

Fier/Informacion paraprak

Rreth orës 18:00, në aksin rrugor Levan–Vlorë (rruga e vjetër), automjeti që drejtohej nga shtetasi A. B., 58 vjeç, ka aksidentuar këmbësorin shtetasin A. Sh., 74 vjeç, banues në fshatin Levan, i cili është transportuar në Spitalin Rajonal Fier për ndihmë mjekësore.

Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme.

Nga testi i alkoolit, 58-vjeçari rezultoi se nuk kishte konsumuar alkool.

Grupi hetimor vijon veprimet për sqarimin e rrethanave dhe të shkakut të aksidentit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button