Sunday, June 23, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËOPINION/ ANALIZËA LARGOHET KAPITENI NË MES TË FORTUNËS?!

A LARGOHET KAPITENI NË MES TË FORTUNËS?!

“Pa sigël të Partisë Demokratike, pa komisionerë, pa fonde, pa përfaqësues në KQZ e pa emrin në krye të koalicionit, e ku megjithatë Berisha arriti të merrte mbi 500 mijë vota”. Ky rezultat nuk qe vërtet i mjaftueshëm për të “thyer regjimin” siç synonte ta bënte Berisha, por ai rezulton më se i mjaftueshëm për të treguar se nuk ka asnjë rival aktualisht që të matet me Berishën si te Partia Demokratike e vulës ashtu dhe tek ajo e terrenit.

Nga Genc Burimi-

NË VEND TË HYRJES

Që prej fitores së thellë të maxhorancës në zgjedhjet e fundit vendore, atmosfera është e veçantë në studiot televizive, që pretendojnë se reflektojnë opinionin e përgjithshëm. Kryefjala në modë sot është bërë thirrja për largim e Sali Berishës, e përforcuar nga dorëheqja e Enkeled Alibeajt me “PD-në e tij të vulës”, që mori notën katër në provimin e zgjedhjeve. Në vijim do mundohem të analizoj përse përqendrimi te Berisha është këndvështrimi i gabuar për të lexuar të tashmen dhe të ardhmen e politikës shqiptare, të paktën deri në zgjedhjet e përgjithshme të 2025-ës.

Të tjera kërkesa do të më dukeshin me oportune: 1)kërkesa për krijim kushtesh të barabarta gare, në mënyrë që çdo lider i ardhshëm i opozitës të përqendrohet si kudo në boten e civilizuar te mbrojtja e programit dhe jo te mbrojtja e votës; 2) kërkesa ndaj opozitës (ose opozitave) të prezantojnë me prioritet ide të reja sesa fytyra të reja, në mënyrë që fushatat elektorale në Shqipëri të jenë konstruktive për vendin, dhe jo negative kundër rivalëve në politikë. Përvoja ndërkombëtare tregon se ikja e “së vjetrës” nuk shoqërohet detyrimisht me “ngadhënjimin” e së resë. Do jap shembullin e politikës aktuale franceze, jo vetëm se e njoh mirë, porse i ilustron edhe më qartë argumentet që dua të shtjelloj. Për lehtësi paraqitjeje, po piketoj si dy “Berisha” të politikës franceze, figurën e së djathtës historike, Nikola Sarkozi, dhe atë të së majtës historike, Fransua Holande.

Të dy këto personalitete, pas vitesh në politike, u konsideruan si të dështuar. Trysnia politiko-mediatike qe e gjithanshme që të dy të largoheshin dhe t’i linin vendin një gjenerate të re, në mos në moshe, të paktën në vrull dhe në ide. Dy “Berishat” e politikës franceze janë larguar, u bënë tashmë shumë vite. E megjithëkëtë, vakumi që krijoi largimi i tyre jo vetëm që nuk është mbushur ende sot e kësaj dite nga e shumëpritura gjeneratë e re e së djathtës dhe e së majtës franceze, por përkundrazi ky vakum i përpiu vetë këto dy parti si në gropa thithëse të një deti të qetë, ku askush nuk e priste se do të mund të ndodhte ndonjë aksident. Partia e De Golit dhe ajo e Miterrandit, që dominonin jo vetëm peizazhin politik francez, por edhe atë europian, janë zhdukur nga radarët e politikës, si një avion i “Malaysian Airlines”, pa nam e pa nishan, pa ceremoni, pa zi.

Aty dy parti historike, dy “zonja të rënda” që impononin sa respekt, aq dhe frikë duke shtypur si me rul çdo konkurrencë mbi rrugën e tyre, janë kthyer sot në dy entitete anonime, jo vetëm pa emër, por dhe pa kolone vertebrale ideologjike sepse nuk kanë më as lider dhe as program. Në zgjedhjet e fundit presidenciale, që janë edhe më të rëndësishmet në Francë, partia historike e “De Golit” nuk mori as 5% dhe ajo socialiste e Miterrandit as 3%. A shërbeu i gjithë ai operacion “fshesa” kundrejt Sarkozisë dhe Holland-it për kaq, për të arritur në këtë rezultat katastrofë? As në ëndrra e tyre më të llahtarshme golistët dhe socialistët francezë nuk do ta kishin përfytyruar se historia e Titanikut mund të ripërsëritej në formën e partive të tyre respektive.

Konkluzioni i parë për opozitën shqiptare rrjedh nga mospërsëritja e gabimit të politikës franceze: nuk është ikja e së “vjetrës” që duhet të përbejë lajtmotiv pas disfatash elektorale, por inkurajimi i shfaqjes së një modeli të ri, çfarëdo mishërimi fizik të ketë ajo, si me fytyrën e së vjetrës apo të resë.

Republikën e 5-të franceze, një inovacion i paparë konstitucional që vazhdon dhe ruan edhe sot ekuilibrin politik të Francës e solli një i vjetër i rikthyer rishtazi në politikë, De Gol me 1958.

Po qe mesazhi i duhur, mos shih fytyrën e “mesazherit”.

Politika është si teoria e Darvinit, me i mirëpërgatituri për një maratonë të gjatë reziston, avancon dhe triumfon. Ja PD-ja “zyrtare”, që e hoqi të vjetrën “Berishë”, duke i dhënë të gjitha mundësitë “së resë” së quajtur Bashë apo Alibeaj, Bejko apo Tabaku, Gazmend Bardhi apo Grida Duma, të sillnin një mesazh të ri, tek i cili do të aderonin “turmat”. Por ja që kjo nuk ndodhi. Kjo kastë e re dhe e përkëdhelur nuk arriti në asnjë moment të imponohej te militantët e aq më pak në opinionin e gjerë publik, ndonëse pati vulën, fondet, mbështetjen totale të amerikanëve, të drejtësisë, të organeve zgjedhore, pa përmendur edhe ngrohtësisë dashamirëse të pushtetit.

Ndodhi me ta siç ndodhi me një Valeria Pekres në Francë, që pretendoi të zëvendësonte Sarkozinë, apo si një Olivier For që pretendoi të zëvendësonte Hollandin, por që mbetën anonime dhe i fundosën drejt greminës dy partitë më të madha që ka njohur historia e Francës.

Konkluzioni i dytë: nuk lind një lider politik me një të rrahur pëllëmbësh, ashtu si nuk lind një yll futbolli thjesht duke shqiptuar emrin Mbape. Në thelb të identitetit të një lideri, qëndron “alkimia” ose karizma. Kur e ke këtë dhunti që ta jep natyra, mjafton të kesh një program që jep shpresë dhe “turmat” të ndjekin vete. Por e kundërta nuk është e vërtetë. Pati program Belind Këlliçi, por ndoshta “alkimia” e tij nuk ngjiti në masën e duhur, që nuk do të thotë se ai s’mund të bëjë një punë më intensive mbi veten për të farkëtuar imazhin e një lideri në gjenezë. 35% kur vinte nga 0% para primareve vetëm 6 muaj më parë ku pakkush e njihte, është një rezultat inkurajues për këdo politikan që fillon rrugëtimin e gjatë drejt majës…

Berisha duhet të ketë të drejtën dhe forcën të udhëheqë opozitën në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës. Ndonëse humbja në zgjedhjet vendore është e pakthyeshme, pasi nuk ka asnjë shans që ato të ribëhen, ndershmëria intelektuale të shtyn të pranosh disa të vërteta në avantazh të tezes së vazhdimit të Berishës në rolin që ka marrë përsipër për ta rikthyer Opozitën në pushtet. Trajektorja e tij është tipike e tezës darviniane se lufta për mbijetese të çon edhe më lart se ku doje të arrije. Berisha u dorëhoq nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike pas humbjes së zgjedhjeve legjislative të 2013, duke vazhduar në standardin e vendosur para tij nga Fatos Nano më 2005.

Pra, kur humb zgjedhjet legjislative, kryetari largohet.

Berisha rikthehet më pas në krye të PD-së (reale) më 2021, jo me dëshirën e tij për të shkelur mbi premtimin që kishte bërë më 2013, por me detyrim-përcaktim për shkak të vendimit të administratës aktuale amerikane që e shpalli non grata pa asnjë provë publike. Trump edhe me provat për vepra penale që i dha botërisht prokurori i Nju York-ut, nuk e imagjinon një sekondë të heqë dorë nga beteja politike, e jo më të ishte akuzuar pa asnjë prove ç’mund të kishte bërë ai. Tjetër reagim për mbijetesë jo vetëm politike, por dhe morale nuk mund të pritej nga ish-lideri historik i PD-së, i provokuar edhe më shumë pas vendimit të kryetarit të asaj kohe, Lulëzim Basha, për ta pezulluar Berishën nga grupi parlamentar i PD-së, pa e debatuar demokratikisht me forumet e PDsë. Ishte meritë e Berishës të mos dorëzohej në një moment ku kushdo tjetër do të kishte ulur krahët për të pësuar në heshtje fatin që po tërbohej mbi të. Berisha e “lagu këmishën” në turneun e foltores, ndërkohë që Basha vendosi të shndërrohej në ventrilok të ambasadores Kim dhe më pas të bënte dhe turne takimesh sekrete me ata që ishte supozuar t’i luftonte politikisht.

Të njëjtën rrugë ndoqi dhe pasardhësi i Bashës, Alibeaj. Rezultati: Berisha mori pa ia dhuruar asnjë njeri legjitimitetin nga baza, ndërkohë qe kryetarët e PD-se së vulës morën legjitimitet nga superfuqia, nga pushteti dhe nga derivati i tyre: drejtësia e reformuar shqiptare. Në këtë përplasje “titanësh”, Berisha fitoi, si në zgjedhjet vendore të pjesshme të 6 marsit, ashtu dhe në ato të 14 majit, ndërkohë që kandidati i Superfuqisë dhe i Pushtetit humbi edhe në 6 mars edhe në 14 maj. Atëherë kush ta zëvendësojë tani Berishën në kampin e Opozitës meqenëse sfidantët, “gjenerata e re” e ka braktisur vetë garën më të “vjetrin” pa e filluar mirë akoma?

Kur Nano iku më 2005, Rama ishte gati. Më 2009, kur po të kishte ikur Rama nëse do ta kishte pranuar humbjen përballë Berishës, Ben Blushi ishte gati. Por sot, edhe po iku Berisha, kush është gati?

Nga gjysmë gotë me ujë, një pjesë e analistëve me të drejtë kërkon të shohë pjesën bosh, dhe të kërkojë largimin e Berishës, meqenëse dështoi në misionin e tij përballë pushtetit. Unë preferoj të shoh gjysmë gotën plot duke konsideruar se misioni i Berishës ende nuk ka shkuar deri në fund përderisa ai ende nuk është angazhuar në “memen e betejave”, zgjedhjet legjislative. Beteja e “vendoreve” jo vetëm që për natyrën e saj nuk ka vlerën politike të zgjedhjeve të përgjithshme, por dhe ajo betejë nuk u zhvillua në kushte normale, karakterizuar siç komentohej në një analizë: “Pa sigël të Partisë Demokratike, pa komisionerë, pa fonde, pa përfaqësues në KQZ e pa emrin në krye të koalicionit, e ku megjithatë Berisha arriti të merrte mbi 500 mijë vota”. Ky rezultat nuk qe vërtet i mjaftueshëm për të “thyer regjimin” siç synonte ta bënte Berisha, por ai rezulton më se i mjaftueshëm për të treguar se nuk ka asnjë rival aktualisht që të matet me Berishën si te Partia Demokratike e vulës ashtu dhe tek ajo e terrenit.

Kjo gjithsesi nuk e pengon asnjë forcë tjetër politike opozitare, asnjë individ si Arlind Qorri, asnjë parti si ajo e Ilir Metës apo e Patozit apo e Shehit të përpiqen ta zëvendësojnë Berishën në opinion, në sondazhe dhe në rezultate zgjedhore po qenë më të aftë. Ata biles kanë edhe parti të regjistruar në Shqipëri, aty ku dhe këtë kriter minimal Berisha nuk e plotëson sot. Gara është e hapur për këdo. Ndaj në vend të sloganit “të largohet Berisha”, do të preferoja “A ka burrë (ose grua) të zëvendësojë Berishën”. Flitet për Jonida Tabakun, si musketere e tretë e amerikanëve pas eliminimit të dy kryetarëve të kaluar të PD-se së vulës, por edhe ajo rrezikon të njohë të njëjtin fat në kutitë e votimit pasi kur nuk ka “ngjizur” deri tani, përse do ngjisë më vonë?

Një tjetër element në favor të tezes që Berisha duhet të vazhdoje të jetë aty ku është ka të bëjë me faktin se zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të jenë logjikisht të fundit që do të udheheqë Sali Berisha edhe në rastin nëse i fiton, edhe nëse i humbet. Po i fitoi, pas mandatit katërvjeçar të Kryeministrit, nuk e besoj se Berisha në moshën 85-vjeçare do të angazhohej për nja fushatë të re legjislative më 2029… Po i humbi, me 2025, pa dyshim humbet përfundimisht pesha e tij në PD. Pra, ai duhet ta udhëheqë këtë betejë finale, por duke ndryshuar disa gjëra.

BASHKIMI DHE PROGRAMI, KUSHTET PËR FITORE

Nëse Berisha vazhdon të qëndrojë në misionin që i ka fiksuar vetes, dhe me sa duket i tillë është vendimi i tij personal, çfarë do të duhej të bënte ai për të kaluar nga statusi i Opozitës në atë të mazhorancës drejtuese të vendit? Siç e përmenda me sipër, çelësi i suksesit për një politikan me ambicie kombëtare është si ajo medalja me dy anë. “Alkimia” ose karizma duhet medoemos të plotësohet nga programi dhe anasjelltas. Basha dhe Alibeaj nuk kishin as njërën, as tjetrën. Te Berisha nuk mund të thuhet se mungon karizma sepse është provuar se ky tipar i tij operon, të paktën te një pjesë e elektoratit. Por atij i nevojitet tashmë një program i qartë për qeverisjen e vendit. Ky program nuk mund të jetë i vetëm njërës PD, por i një partie demokratike të bashkuar në mënyre që asnjë votë të mos shkojë në dëm për “betejën finale”.

RIBASHKIMI I PD-SË

Me ikjen e dy ish-kryetarëve plëngprishës, utopia e ribashkimit të PD-së nën tutelën e Berishës mund të ribëhet realitet për dy arsye. E para është se Berisha provoi dy herë në zgjedhje se atje ku ai vë kandidat, ai i PD-së së vulës nuk ka asnjë shans. Deputetët e sotëm do të duan të rizgjidhen më 2025. Kjo është një bazë e parë negociatash. Arsyeja e dytë është rënia e interesit të SHBA-ve për PD-në e vulës pas provave të pafuqishmërisë së saj, megjithë kushtet ideale që u krijoi ambasada US për të avancuar.

Dorëheqja e Alibeajt mund të jetë dhe sinjali i këtij zhgënjimi që ai dhe rrethi i tij kanë krijuar tek amerikanët. Rama nuk mund të lihet pa një kundërpeshë edhe për amerikanët që janë mbështetës të tij, sidomos tani pas frontit të panevojshëm që Rama hapi me një tjetër aleat të fortë të amerikanëve, Greqinë. Fakti është së ketë kundërpeshë vetëm Sali Berisha e garanton sot. Ndaj Berisha duhet ta tentojë një ribashkim të PD-se përballë një ambasade amerikane, që ndoshta do të tregohet më e tërhequr.

PROGRAMI

Edhe me program nuk je i sigurt se fiton siç tregoi precedenti me Këlliçin. Pa program, nuk ekziston as edhe më i vogli shans për asnjë opozitë në botë. Arsyet e mungesës së programit të Berishës deri tani mund të përmblidhen në tre:

– Mungese kohe, sepse ne një vit e gjysmë iu desh të përballonte sfida të tjera, jetike për veten e tij në politikë, përpara se të hartonte një program jetik për vendin.

– Mungesë konteksti, sepse zgjedhjet lokale nuk i japin mundësinë një formacioni politik as në Shqipëri dhe as në Perëndim të prezantojë një program kombëtar. Çdo qytet ka nevojën për një program lokal gjë që e ndërlikon hartimin e një programi kombëtar.

– Së treti dhe më e dëmshmja qe se Berisha mendoi t’i fitonte këto zgjedhje mbi bazën e alergjisë, që kishin krijuar shqiptarët ndaj qeverisjes në tri mandate të Edi Ramës. Ishim disa analistë që ramë në këtë kurth duke parashikuar më shumë një votë ndëshkuese ndaj njërit (Kryeministrit), sesa një votë përkrahëse ndaj tjetrit (Berishës).

Kjo analizë nuk u vërtetua, jo ngaqë alergjia ndaj pushtetit të Edi Ramës, i zhytur në skandale korrupsioni nuk është vërtet reale në një pjesë të shoqërisë shqiptare, por sepse shqiptarët duke ndëshkuar në këto zgjedhje lokale Edi Ramën, do të kishin ndëshkuar në radhë të parë veten e tyre. Kryeministri ua bëri të qarte se bashkitë që do të binin në duart e opozitës nuk do të përfitonin nga investime shtetërore. Kjo për votuesit do të thoshte më pak rruge, shkolla, spitale e ujësjellës, nëse ata do të guxonin qe me votën e tyre të sfidonin pushtetin. Ky kërcënim që do të kishte shkaktuar skandal në çdo demokraci perëndimore, nuk u mor shumë seriozisht nga blloku opozitar. Berisha duhet të kishte kërkuar me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve për një falje publike të Edi Ramës dhe një qartësim të rregullave të lojës demokratike, se është ilegale hakmarrja e pushtetit qendror ndaj zgjedhësve “vendorë”.

Elementi i dytë që nuk u mor aq shumë në konsideratë në analizën parazgjedhore, ishte kapaciteti i tjetërsimit të votës nga Pushteti. Berisha “zbulon” sot thellësinë e problemit dhe habia e tij të habit që nuk i parapriu. Ndaj dhe programi i ri duhet t’u përgjigjet pike më pikë këtyre problematikave:

1 – Një program të qarte nga PD-ja e bashkuar për një riaxhustim të kodit zgjedhor që vërtet u amendua më 2020, por që shpalosi në këto zgjedhje mangësi të frikshme. Një institucion si KAS nuk duhet të figurojë më në këtë formë. Vendit i nevojitet një Gjykatë Zgjedhore e përbëre nga gjykatës profesionistë dhe jo nga elementë partiake. Duhet riparë kodi zgjedhor nga fundi në krye në mënyre që të mos asistojmë më në farsën e hidhur për partitë që hyjnë në zgjedhje, por që nuk kanë numërues votash te tyre. Po ashtu kodi i ri zgjedhor të adresojë tri prapësitë elektorale që përmenden sërish dhe për të disatën herë rresht nga OSBE-Odhir: presioni mbi administratën, përdorimi i aseteve publike për fushatën e partisë në pushtet dhe shitblerja e votës.

Këto akte duhet të penalizohen shumë herë më tepër se sot ne pamundësi të eliminohen. Pse jo, partisë në pushtet që vazhdon dhe përdor asete publike në zgjedhje, t’i hiqen pikë nga numërimi i votave siç i hiqen pikë në kampionat një ekipi futbolli që ka bërë hile. Dhe së fundi, aspekti më kryesor që nuk duhet neglizhuar te pjesa e programit për zgjedhjet, është vota e diasporës. Ligjërisht, vendimi është marrë që kjo të ndodhë për zgjedhjet e 2025, por praktikisht opozita duhet të negociojë procedura votimi transparente dhe të padhunueshme. Vota e diasporës do të rezultojë si më “e shëndetshmja”, pasi zgjedhësit shqiptarë jashtë nuk janë peng i qeverisë për vende pune apo favore të tjera.

Së dyti, një program i qartë për drejtësinë. Nëse reforma në drejtësi ka dështuar, si do të jetë drejtësia e re sipas këndvështrimit të opozitës? Dhe kjo jo me dëshira e fjalë boshe, por me propozime konkrete se si të zhbëhet ajo që nuk funksionon dhe si të ndërtohet një sistem i ri drejtësie me këtë pyetje në sfond: a mund të shkohet drejt një drejtësi të pavarur nga politika dhe qysh?

E së fundi dhe që është më e rëndësishmja, duhet Programi i mirëfilltë politik me P të madhe.

Çfarë do t’u propozojë konkretisht PD-ja e Berishës të rinjve që të mos largohen, bizneseve që të mos dekurajohen, ekonomisë shqiptare që të mos gangrenizohet, administratës që të perfeksionohet, pensioneve që të garantohen, pa folur për shërbimet publike, shkollat, spitalet, rendi që duhet të jenë vërtet në shërbim të publikut. Shkurt, nevojitet një program, si ai që e risolli PD-në në pushtet me 2005 edhe ku gjithçka dukej e pashprese për atë parti pas katrahurës së piramidave financiare. Kur PD-ja arriti asaj kohe të fitojë me të njëjtën logo, me të njëjtin kryetar, dhe në të njëjtën situatë kur dukej krejtësisht e mposhtur nga Partia Socialiste, përse të mos triumfojë më 2025? Por për këtë duhet një program dhe një parti e ribashkuar, përtej vullnetit të mirë të kryetarit “për të thyer regjimin”… . Filozofi gjerman Niçe shkruante në librin “Perëndimi i idhujve” me 1888 një fjali që citohet shumë dhe në kohët moderne: “Ajo që s’të vret, të bën edhe më të fortë”: “Ëas mich nicht umbringt, macht mich stärker”.

Kur Berishën nuk e “vrau” shpallja non grata nga superfuqia botërore, kur nuk “e vranë” tradhtitë e njëpasnjëshme të atyre që i mori nga hiçi, i bëri ministra dhe që u rikthyen me këmbët e tyre në statusin e hiçit, kur nuk “e vranë” ofiçinat elektorale të pushtetit, ai del edhe më i përforcuar nga episodi i fundit i zgjedhjeve vendore si i vetmi “challenger” për betejën finale të 2025.

Pyetjes në titull të këtij shkrimi “A duhet të largohet Berisha”, nuk mund t’i përgjigjeshim ndershmërisht pa pjesën tjetër të ekuacionit se “Nga kush mund të zëvendësohet Berisha”. Për momentin, nga askush. Do të jetë pra më e kollajtë që ai t’i shkojë deri në fund të rrugës që ka nisur sesa të ndërrohet kapiteni në mes të furtunës.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME