Analiza/ 6 Milionë Euro Pasuri të Sekuestruara – Mustafaj: Duhet Më Shumë Hetim Proaktiv

Fier – Në analizën vjetore të institucionit që drejton, prokurori Elion Mustafaj ka vënë theksin tek sfidat dhe arritjet gjatë vitit të kaluar. Edhe pse ka pranuar mungesa në trupën e prokurorisë dhe në administratë, ai ka theksuar se puna e institucionit ka qenë në nivelin e duhur.
Mustafaj ka nënvizuar se, përveç çështjeve të realizuara, sfidë mbetet hetimi i thelluar i çështjeve të posaçme, sidomos përmes metodave proaktive dhe në ndjekje të publikimeve mediatike, duke iu përmbajtur udhëzimeve të Këshillit të Ministrave dhe Prokurorit të Përgjithshëm.
Elion Mustafaj tha se : “Pavarësisht vështirësive, kemi arritur të sekuestrojmë pasuri të paligjshme në vlerë deri në 6 milionë euro – përfshirë banesa, hotele, automjete, ora luksoze dhe garazhe. Po ashtu janë hetuar çështje penale që prekin doganat, tatimet dhe institucione të tjera.”


Në përmbyllje të analizës, Mustafaj ka ngritur shqetësimin për nevojën e një godine të re për institucionin dhe plotësimin e vendeve vakante me fuqi të kualifikuar punëtore, në mënyrë që të përballohen sfidat në rritje në fushën e drejtësisë.




