Blegtorët e Jugut: Protestojmë për çmimin e qumështit

Blegtorët nga Gjirokastra dhe Saranda zhvilluan një protestë të përbashkët në vendin e quajtur “Ura e Kardhiqit”.
Shkak i protestës së tyre është çmimi i ulët që ofrojnë baxhot për grumbullimin e qumështit dhe mungesa e subvencioneve nga shtetit. Blegtorët paralajmërojnë përshkallëzim të protestave nëse qeveria nuk reagon e nuk merr masa për zgjidhjen e situatës.
Rreth 50 blegtorë të Delvinës, Sarandës dhe Gjirokastrës kanë zhvilluar protestën e dytë brenda 15 ditëve pranë urës së Kardhiqit, duke u shprehur kundër uljes së çmimit të qumështit.
Blegtorët kërkojnë nga qeveria qëndrueshmërinë e çmimit të qumështit, pasi baxhot kërkojnë uljen e çmimit të këtij produkti. Gjithashtu ata bëjnë thirrje për zgjidhjen e situatës së kullotave me kontrata 6 mujore dhe rritjen e subvencioneve.
Ata thonë se janë ankuar vazhdimisht tek ministria e bujqësisë dhe qeveria, teksa nuk e fshehin zhgënjimin ndaj instutucioneve pasi ende nuk është marrë asnjë masë.
Blegtorët pohojnë se ky është viti i 3 që zhvillojnë protesta, ndërsa paralajmëruan përshkallëzim nëse nuk merren masa për zgjidhjen e situatës.