POLITIKË

Detajet/ Si u përfshi deputetja Klotilda Bushka në çështjen “Veliaj”

Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar në emisionin “Open” në News 24 disa detaje të reja mbi hetimet që kanë çuar në arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Sipas saj, deputetja socialiste Klotilda Bushka është vendosur nën hetim për rolin e saj të dyshuar në pengimin e drejtësisë.

Sipas gazetares, deputetja ka punuar në të njëjtën zyrë me Ajola Xoxën, bashkëshorten e Veliajt dhe dyshohet se ka ndikuar tek dëshmitarët si dhe nuk ka dorëzuar të gjitha dokumentet e kërkuara nga prokuroria. Kryetarja e Komisionit të Ligjeve është aktualisht një “person nën hetim” nga prokuroria.

Lala ka ndarë detaje edhe për rolin e biznesmenit Elman Abule, i cili po ashtu u arrestua këtë të hënë. Sipas saj, gjatë pasdites Veliaj ka kontaktuar me avokatët e tij për të koordinuar mbrojtjen ligjore, ndërkohë që autoritetet kanë arrestuar biznesmenin shqiptaro-belg. Abule dyshohet për pastrim parash përmes kompanive të tij.

Sipas prokurorisë, ai ka siguruar leje ndërtimi me një nga firmat e tij dhe ka kryer transaksione financiare me qëllim mbulimin e origjinës së fondeve, të cilat dyshohet se janë përfituar nga çifti Veliaj-Xoxa.

Veliaj dyshohet për korrupsion në 9 raste në bashkëpunim, si dhe për pastrim parash. Prokuroria pretendon se, në cilësinë e kryebashkiakut, ai ka firmosur tendera dhe leje ndërtimi, ndërsa në këmbim ka përfituar ryshfet përmes kompanive apo organizatave të drejtuara nga bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa.

Xoxa dyshohet për korrupsion, fshehje të pasurisë dhe pastrim parash. Për shkak se është nënë e një fëmije të mitur, ajo është vendosur në masë sigurie “arrest shtëpie”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button