SPORT

Djali i CR7 debuton me Portugalinë: Ronaldo Jr. ka zgjedhur numrin e të atit

Cristiano Ronaldo Jr. mezi pret të ndjekë gjurmët e të atit dhe tashmë ka nisur të ecë në të njëjtën rrugë: është grumbulluar nga Portugalia U15 dhe sot ka bërë debutimin e tij në një ndeshje zyrtare. I riu portugez hyri në fushë gjatë lojës në Turneun Ndërkombëtar “Vlatko Markovic” që po zhvillohet në Kroaci. Paraqitja e tij e parë ishte kundër Japonisë, nën sytë vigjilentë të gjyshes Maria Dolores, e cila ishte e pranishme në tribuna me fanellën zyrtare veshur.

Për të ishte si një déjà vu, pasi po përjeton gjithçka që ndodhi edhe me të birin. CR7 më pas u bë një nga lojtarët më dominues në historinë e këtij sporti, duke thyer çdo rekord, dhe shpreson që edhe djali i tij të lërë gjurmë në futbollin europian si ai. Ronaldo nuk e ka fshehur kurrë dëshirën për të luajtur një ndeshje me të birin, të cilin e thërret me përkëdheli “Cristianinho”, një ëndërr që duket se po i afrohet realitetit.

Cristiano Ronaldo Jr debuton me Portugalinë U15

Emocioni ishte i madh, edhe pse i riu portugez dukej tërësisht i qetë me atë fanellë kaq të rëndë mbi supe. Nuk ishte aspak e sigurt që do të zgjidhte kombëtaren luzitane, pasi kishte të drejtë të përfaqësonte gjashtë kombëtare të ndryshme falë pasaportave të shumta. Në fund vendosi të bëjë saktësisht si i ati, edhe pse ka ende kohë të ndryshojë kombëtare për sa kohë luan në moshat e reja. Sot ndaj Japonisë erdhi debutimi i tij zyrtar dhe për herë të parë u zbulua edhe numri i fanellës së tij.

Cristiano Ronaldo Jr zbriti në fushë me numrin 7, të njëjtin me atë të babait të tij. Një lloj deklarate qëllimi për gjithë karrierën: nuk ka frikë nga hija e CR7 dhe as nga krahasimet që mund të lindin prej kësaj pamjeje kaq simbolike dhe prej atij numri që është bërë pjesë e vetë figurës së Ronaldos. Ky është vetëm hapi i parë për Cristianinho, që mban të drejtën për të ëndërruar madhështinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button