Për 98-vjeçaren ukrainase Lidiia Lomikovska, pushtimi i Rusisë është më i keq se Lufta e Dytë Botërore, të cilën ajo e kishte përjetuar. Ajo është mësuar t’u besojë instinkteve të saj.
Kjo është arsyeja pse kur forcat ruse hynë në fshatin e saj të lindjes, Ocheretyne në Ukrainën lindore, ajo dhe familja e saj vendosën se ishte koha për t’u larguar. Megjithatë, nën granatimet e rënda të rusëve, Lidiia u nda shpejt nga të afërmit e saj, kështu që filloi të ecte me pantofla.
“Unë mora një shkop dhe një dërrasë druri [për mbështetje] dhe u nisa. Këmbët më mbanin disi” – tha ajo për BBC. Ajo tha se arriti të udhëtonte 10 km derisa u gjet nga policia ukrainase.
![Police handout Lidia Lomikovska's slippers](https://ichef.bbci.co.uk/news/480/cpsprodpb/14C49/production/_133256058_slippers.png.webp)
“Nuk na ka mbetur asgjë! Është e gjitha përmbys!” – tregon ajo atë që kishte parë në udhëtimin e saj. Fshati që ajo la pas po kthehej gradualisht në një peizazh ferri me afrimin e trupave ruse. Sa më shumë afrohen, aq më i fortë bëhet zjarri i artilerisë. Blloqe të tëra apartamentesh dhe shtëpi po kthehen ngadalë në rrënoja dhe pluhur.
![The BBC speaks with Lidiia Lomikovska](https://ichef.bbci.co.uk/news/480/cpsprodpb/612B/production/_133257842_whatsappimage2024-05-01at18.21.05.jpg.webp)
“Kur nisa të ecja, më duhej të shtrihesha disa herë. Një moment humba ekuilibrin dhe rashë në bar. Më zuri gjumi, por më pas vijova të ecja” – tha Lidiia. Ajo shpjegon se një nga oficerët e policisë e pyeti se sa vjeç ishte. “Unë thashë që isha 48 apo 49 vjeç, ai nuk më besoi!” – tregon ajo duke qeshur.
Ajo u dërgua fillimisht në një strehë për pak pushim, përpara se të ribashkohej me mbesën e saj, Svitlana.
“Jam shumë e lumtur që gjyshja ime është këtu. Ne e kishim kërkuar për një kohë të gjatë!” – thotë Svitlana, e cila është ulur pranë Lidiia-s. “Unë nuk do ta përsëris më këtë” – thotë e moshuara. “Oh jo, mos e bëj më këtë!” – ishte reagimi i Svitlanës.