OP/ AN

Edi Rama nuk vodhi zgjedhjet, por dinjitetin!

Nga Romir Saraçi – Për të gjithë ata që kanë dyshime se përse Edi Rama “e meritoi” fitoren e zgjedhjeve, mjafton të kthejnë pak kokën pas. Jo me këtë rezultat, por edhe më shumë mund të merrte me historikun e qeverisjes së këtyre 12 viteve. Rama “fitoi” kryeqytetin, sepse u dha shembull qytetarëve të Tiranës, së bashku me Erion Veliajn, se si mund të vjedhin. Qytetarët e votuan, sepse e kuptojnë çdo ditë se bashkë me qesen e mbeturinave që çojnë te koshi i plehrave, paguajnë 29 euro, që fatura e abuzimit te Inceneratori i Sharrës mos të bjerë nën 400 milionë euro. Teksa zbresin shkallët, dalin në rrugën e asfaltuar nga 5D, që për të simbolizuar vjedhjen e gjakut të qytetarëve, edhe vizat e bardha i kanë lyer me të kuqe. Kur ngrenë kokën lart, shohin kullat që i bëjnë karshillëk varfërisë së tyre.

Pse e votuan në Durrës? Sigurisht! Sot Durrësi ka fatin të ketë si qytetarë të tij, me të drejta vote, një pjesë të kupolës së korrupsionit, të cilët qelitë e burgut i kanë kthyer në suitat e kavaleshencës. Mbi 20 milionë euro të vjedhura te Eko Parku. Për 6 vite kanë qenë dëshmitarë të miliona eurove që vidheshin para syve të tyre, për të rikuperuar plagët e tërmetit. E teksa hidhnin sytë nga deti, shihnin me kërshëri se si ngriheshin kullat e Alabarit, në tokën e tyre të falur me një firmë nga kryeministri. Panë se si në 2 vite qeverisja e Edi Ramës e ktheu portin e Durrësit në të vetmin port në Europë, që nuk kapet asnjë gram kokainë, edhe pse lumenjtë e drogës nga Amerika Latine vijojnë në këtë destinacion.

Pasi lënë pas Eko-Parkun, kalojnë në rrugën 1.2 miliardë euro, rekordin Guinness për ndërtimin e vetëm 21 km rrugë, duke përshëndetur kështu edhe 5B e Belindës. Tashmë kalojnë në një tjetër nivel vlerësimi abuzimi, jo më në miliona euro, por në miliarda, me një tunel që me një firmë u vodhën 50 milionë euro, me rrugë të florinjta, e me rrugë bregdetare që ndërtohen vetëm për hapjen e fronteve të tjera të abuzimit me pronat dhe krijimit të strategjikëve të radhës. Bashkë me bregdetin, shohin edhe Tigrat, që i bëjnë roje ishullit të Sazanit. E votuan, sepse kur vizitojnë qytetet e Rilindura, i mirëpresin pashallarët e Rilindjes, që fjetën të pangrënë e u zgjuan milionerë. E votuan, për begenisjen poshtë urës nga Tërmeti, se burrat çyryk janë të zënë me kënetën. E votuan, sepse ndërsa hedhin sytë nga fshati, shohin se si fermerët nuk kanë më nevojë e mundësi të punojnë, falë vjedhjes së 250 milionë euro fonde të dhëna nga Bashkimi Europian. E votuan Edi Ramën për shëndetësinë falas, bashkë me 200 milionë eurot e Sterilizimit dhe Check-Up, e se te Onkologjiku u jepet mundësia që ilaçet t’i blejnë vetë te farmacia përballë. E votuan Edi Ramën për t’u zgjatur jetën prindërve të moshuar, që të mos largohen nga kjo botë pa marrë rritjen e parë të pensionit në vitin 2030. Për sigurinë e fëmijëve të tyre në shkolla, ku çdo fëmijë mund të mbajë pa problem më shumë se dy thika me vete, e ku nxënësit nuk kanë nevojë të mësojnë, se cilësia nuk është problem. Nuk është problem as tryeza bosh, se qeveria e përdor si politikë kundër obezitetit rritjen e çmimeve të ushqimeve. Sa për pagat, problemi më i vogël, për sa kohë mund të shlyesh taksat dhe faturat, e për sa kohë dyqani i lagjes do të vazhdojë të të ushqejë me listë.
Nëse nuk i shihni si arsye, hidhini një sy rezultateve të Tragjasit, ku me votë falënderuan Edi Ramën se po i merr ujin për investitorët strategjikë, apo Hotolishtit, ku rruga po rrafshon fshatin.
Nëse këto ju duken pak, rezistoni edhe ca, se nuk keni parë gjë akoma!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button