Fluminense eliminon Interin nga Botërori i Klubeve

Aventura e Interit në Botërorin për Klube përfundon që në fazën e 1/8-ës, pas një humbjeje 2-0 përballë brazilianëve të Fluminense. Goli i parë erdhi shumë shpejt, në minutën e tretë, me Germán Cano që zhbllokoi rezultatin. Ndërsa në kohën shtesë, Hercules vulosi fitoren e “Flusao”.
Skuadra e trajnerit Chivu pati një nisje shumë të dobët në ndeshje, duke u treguar pasive dhe pa ide në ndërtim. Qarkullimi i topit ishte i ngadalshëm dhe pa rrezik, duke mos arritur thuajse asnjëherë të shqetësojë mbrojtjen e hekurt të Fluminense, të drejtuar nga veterani Thiago Silva.
Vetëm në minutat e fundit Interi arriti të krijojë disa raste, por një portier fantastik si Fabio dhe pak fat i keq i ndalën zikaltërit: Lautaro goditi shtyllën, ndërsa Dimarco qëlloi traversën në fundin e ndeshjes. Brazlianët kalojnë më tej, ndërsa për Interin Botërori përfundon para kohe.