Tabaku: Po lulëzon turizmi, por qeveria po i merr frymën biznesit të vogël

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar në rrjetet sociale me një mesazh të drejtpërdrejtë dhe të ndjeshëm për situatën ekonomike në vend, duke vënë në dukje kontrastin e fortë mes rritjes së turizmit dhe rënies së sipërmarrjes vendase.
“Turizmi rritet. Gjithnjë e më shumë të huaj vijnë për të parë mrekullitë e Shqipërisë. Por gjithnjë e më pak shqiptarë hapin biznese të vogla. Gjithnjë e më shumë dyer mbyllen,” shkruan Tabaku, duke e lidhur këtë fenomen me mungesën e mbështetjes nga qeveria dhe barrën e lartë fiskale që rëndon mbi qytetarët e ndershëm.
Sipas saj, në 8 nga 12 qarqet e vendit është regjistruar rënie e ndjeshme e bizneseve të vogla, ndërkohë që qeveria vazhdon të promovojë një “rritje ekonomike” që nuk reflekton realitetin. “Janë vetëm fasada. Janë reklama. Janë mashtrime,” thekson Tabaku.
Ajo nuk ngurron të përshkruajë pasojat e drejtpërdrejta që kjo situatë ka për qytetarët, ku çdo dyqan që mbyllet, është një familje në krizë, çdo punishte që shuhet, është një komunitet që zbehet.
“Sa herë mbyllet një biznes i vogël, një familje futet në vështirësi.
Sa herë mbyllet një punishte, humb një lagje, zbehet një komunitet”.
Për të, sipërmarrja e vogël është shtylla kurrizore e ekonomisë shqiptare një shtyllë që, sipas saj, qeveria socialiste e lufton me qëllim, sepse “shtresa e mesme nuk është klienteliste. Nuk shitet. Nuk hesht. Ajo lufton.”
Në mesazhin e saj, Tabaku ngre zërin kundër monopoleve, kundër një ekonomie të kapur dhe kundër padrejtësive që i bëhen sipërmarrësve të ndershëm. Ajo mbetet një nga figurat më të angazhuara në mbrojtje të ekonomisë reale dhe të njerëzve që punojnë përmes mundit të tyre, duke u shfaqur sërish si një zë i besueshëm për shtresën e mesme dhe për çdo qytetar që kërkon një të ardhme më të drejtë.