
Ka vende që nuk të ftojnë me zhurmë. Nuk të shfaqen në reklama të bukura me dronë, nuk bëjnë zhurmë në Instagram, e nuk të presin me ndërtime buzë detit. Por ka vende që të thërrasin me qetësinë e tyre, me një bukuri të heshtur që të hyn ngadalë nën lëkurë. Një prej tyre është Vilë-Bashtova, një cep i harruar i Shqipërisë së Mesme, mes fushave, atje ku lumi Shkumbin përqafohet me Adriatikun.
Vilë-Bashtova është një udhëtim ndryshe. Nga Tirana i bie një orë me makinë, por kur mbërrin, ndihesh sikur ke udhëtuar në një kohë tjetër. Asfaltit modern i zë vend dheu i ngjeshur, xhunglës prej betoni të kryeqytetit i bën sfidë pylli dhe gjelbërimi. Aroma e pishave të egra përzihet me ajrin e kripur të detit, dhe diku përpara teje, e qëndisur si një kujtim i lashtë mbi këtë peizazh të sheshtë, ngrihet kalaja e Bashtovës.

Një kështjellë në fushë? Po, një kështjellë që nuk ngjitet mbi male apo kodra, si zakonisht. Kalaja e Bashtovës është ndërtuar nga venecianët rreth shekullit XV, mbi rrënojat e një strukture të hershme bizantine. Ajo ka një planimetri të rregullt, mure të larta 9 metra, dhe dy kulla të rrumbullakëta në skaje që ruajnë portat hyrëse. Këtu, historia nuk është vetëm një rrëfim i së kaluarës, është një prani që ndihet në ajër.
Kur ecën përgjatë mureve të saj, ndien se çdo gur është dëshmitar i një kohe të trazuar, kur fuqitë e mëdha evropiane përballeshin me Perandorinë Osmane. Legjenda thotë se osmanët e morën këtë kështjellë në vitin 1478, dhe që prej asaj kohe ajo qëndroi në heshtje, duke vëzhguar botën të ndryshojë përreth saj.
Në vitet e fundit, EU4Culture ka nisur një projekt për restaurimin e kalasë, përforcimin e mureve, ndërtimin e qendrës së informacionit, e krijimin e një përvoje të plotë për vizitorët. Festivalet kulturore si Bashtova Fest dhe ekspozitat e organizuara këtu kanë nisur të sjellin jetë e kuriozitet. Ka shenja se ky destinacion po zgjohet më në fund nga gjumi i gjatë.
Por, çfarë e bën vërtet të veçantë Vilë-Bashtovën nuk është vetëm historia apo natyra. Është ndjenja se ke zbuluar diçka që të tjerët s’e dinë ende. Një ndalesë për ata që kërkojnë paqen e një plazhi të pastër dhe autenticitetin e një trashëgimie që flet pa fjalë.


Rreth 500 metra më tej nga kalaja, plazhi i Vilë-Bashtovës shtrihet pa bujë. Nuk ka rreshta çadrash me pagesë 20, 50 apo 100 euro; mjaftojnë 500 lekë. Nuk ka as beach bare me muzikë repi të fortësh me volum të lartë. Vetëm rërë e artë, ujë i cekët, e zhurma e pishave që përthyhen në erë. Është një nga ato plazhe ku fëmijët mund të luajnë të lirë, ku të rriturit gjejnë vend për të lexuar një libër pa shqetësime, ku nuk je konsumator, por njeri.
Për ata që duan një çikë rehati më shumë, “Loku Mare” ofron një përvojë të lehtë e simpatike, me bar, restorant, e madje edhe vend për të ngritur çadrën për një natë nën yje. Kur flasim me sipërmarrësin e këtij restoranti, që për vite me radhë ishte vetëm një kioskë, ai na thotë se për të huajt që vijnë me kamper, nuk i marrim fare qira parkimi dhe as përdorim të ujit, vetëm çfarë konsumojnë në faturën e energjisë elektrike. Pjatat e peshkut që peshkatarët lokalë i zënë që pa gdhirë në det janë pjesë e kësaj mikpritjeje që Shqipëria di ta ofrojë më mirë kur nuk e shet veten shumë.

Nëse do të qëndrosh në kodër, hoteli më i madh i zonës është “Kodra e Godenëve” ku një natë kushton jo më shumë se 60 euro në kulmin e sezonit. Përgjatë vijës së bregdetit nga lumi deri te kanali operojnë 9 biznese të vogla, të cilat mbijetojnë falë sezonit turistik që nis në mes të majit dhe mbyllet në mes të shtatorit, me kulmin gjatë korrikut dhe gushtit. E pikërisht në kulm të sezonit, konsumi ditor i peshkut arrin deri në 30–40 kg për restorant.
Kur flasim me sipërmarrësit lokalë, ja çfarë thonë dy prej tyre, sapo i pyet për ndonjë problematikë a kërkesë që do të kishin ndaj shtetit. Ata thonë se zona ka 24 orë furnizim me energji elektrike, por infrastruktura rrugore mbetet e papërfunduar. “Rruga, për shembull, është shtruar nga ne vetë personalisht, vetëm asfalti është hedhur nga bashkia, të themi realitetin.”
“Plazhin e pastrojmë vetë. Sistemimi dhe mirëmbajtja janë në dorën tonë, nuk vjen ndonjëherë pastrim nga Bashkia Rrogozhinë.” “Vetëm unë kam investuar ndër vite mbi 300 mijë euro vetë. Nuk kemi marrë asnjë mbështetje nga asnjë qeveri,” tregon një prej sipërmarrësve, duke shtuar se përveç mungesës së ndihmës, përballen shpesh me sulme të inspektorëve dhe tatimorëve, që i gjobisin ose penalizojnë për arsye që sipas tyre mund të zgjidheshin me bashkëpunim. Megjithatë, këto shifra nuk janë shoqëruar kurrë me mbështetje qeveritare.
Vilë-Bashtova shpesh ka mbërritur në edicionet e lajmeve si një destinacion i përvitshëm i një grupi të madh turistësh nomadë nga Europa, që në fund të sezonit organizonin një “festë të çmendur me plazhe nudo”, sikurse është raportuar në TV kombëtare shqiptare. Pikërisht këta sipërmarrës lokalë e përmbysin këtë pretendim duke folur tejet pozitivisht për grupin e turistëve. “Vinin çdo vit nga 5,000 deri 10,000 të rinj që flinin me çadra dhe kampera. Gjëja e parë që bënin, pastronin gjithë plazhin, e bënin dritë. Pastaj pinin e kërcenin gjithë natën, por kjo është punë e tyre. A do të të them diçka që nuk do ta besosh? Kemi llogaritur që ata turistët e stigmatizuar shpenzojnë 3 deri në 4 milionë euro çdo verë, para që mbeten në xhepat e restoranteve, bareve dhe marketeve të vogla këtu në fshat,” përfundon banori që e thërrasin Lika dhe është popullor me të gjithë.


Shqipëria ka filluar të ngufatet nga suksesi i vet në turizëm. Dhjetëra mijëra vizitorë çdo ditë në Durrës, Shëngjin apo Ksamil, kanë mbushur kapacitetet. Ndërkohë, vende si Vilë-Bashtova qëndrojnë mënjanë, duke pritur me durim të kujtohen nga ne vendasit dhe të njihen nga të huajt. Vilë-Bashtova nuk është për këdo. Nuk është për ata që kërkojnë resorte all-inclusive. Është për ata që kërkojnë një pushim me ritëm të ngadaltë, për ata që nuk kanë frikë të zhyten në histori, por sidomos për ata që ndihen mirë kur janë larg turmës.
Nëse këtë verë do doni të zbuloni një copëz Shqipërie që është ende e paprekur, që nuk ka humbur shpirtin, Vilë-Bashtova është përgjigja. Merrni makinën, miqtë apo fëmijët, dhe bëni një fundjavë atje. Do ta shihni që jo vetëm plazhet, por edhe vetja juaj mund të rizbulohen në këtë vend të qetë e të çuditshëm, që flet pak, por të mbetet gjatë në mendje.