Ilir Meta: Për Ola Brukon dhe gazetarët që duan të vërtetën.

𝐏𝐞̈𝐫 𝐎𝐥𝐚 𝐁𝐫𝐮𝐤𝐨𝐧 𝐝𝐡𝐞 𝐭𝐞̈ 𝐠𝐣𝐢𝐭𝐡𝐞̈ 𝐠𝐚𝐳𝐞𝐭𝐚𝐫𝐞̈𝐭 𝐪𝐞̈ 𝐞 𝐝𝐮𝐚𝐧 𝐭𝐞̈ 𝐯𝐞̈𝐫𝐭𝐞𝐭𝐞̈𝐧, 𝐧𝐞̈ 𝐫𝐞𝐬𝐩𝐞𝐤𝐭 𝐭𝐞̈ 𝐩𝐫𝐨𝐟𝐞𝐬𝐢𝐨𝐧𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐦𝐢𝐬𝐢𝐨𝐧𝐢𝐭 𝐭𝐞̈ 𝐭𝐲𝐫𝐞!
E dashur Ola,
Duke kujtuar me shumë kënaqësi intervistën tonë te “Dola te Ola” ju them se vijoj t’ju ndjek edhe nga qelia Nr.5.
Ju ndoqa edhe sot gjatë intervistës me një nga drejtuesit e opozitës, z.Belind Këlliçi.
Por u habita, që ndoshta për shkak të etikës së profesionit, ju ende i qëndroni variantit të Narkopolicisë, lidhur me rrëmbimin tim kriminal.
Kur z. Këlliçi ju referoi rastin tim dhe standardin e rrëmbimit kriminal, krahasuar me shoqërimin korrekt të Veliajt, ju i thatë se kjo kishte ndodhur se unë sipas tyre kisha kundërshtuar Policinë e Shtetit.
E dashur Ola,
Më vjen keq që i qëndroni variantit të Narkopolicisë. Së pari pamjet janë shumë të qarta. Së dyti nëse Policia do të më kishte paraqitur mua një njoftim sipas ligjeve, për çdo qytetar, padyshim që unë do ta kisha respektuar.
Por jo vetëm nuk më është paraqitur asnjë dokument, por ata as nuk janë identifikuar, përkundrazi ishin banditë me kapuçë dhe me maska, që vijuan sjelljen në mënyrë provokative dhe banditeske.
Kam disa pyetje për ju.
Për hir të së vërtetës, a duhet të hynin në automjetin tim me kamera profesionale apo me armatim të rëndë, siç hynë?
Përse duhet të bëshin ato veprime nga Policia e Shtetit?
Përse unë të mos shoqërohesha me automjetin tim, siç u veprua në rastin e Veliajt? Sepse siç e dini jam shoqëruar me një automjet privat.
Çdo të thotë deklarata e ministrit të Brendshëm që mund të kishte vajtur edhe më keq? Besoj e dëgjuat Arben Ahmetaj, që ky ministri i Brendshëm ishte shkarkuar për korrupsion.
Siç besoj e dini që kemi bërë kallzim penal për rrëmbimin tim, sepse SPAK këtë detyrë ja kishte ngarkuar Policisë dhe jo Forcës Lëvizëse Operacionale dhe minimum duhet të kishin nisur çështjen për Drejtorin e Policisë për këtë inskenim kriminal që as nuk do ta trembë opozitën
Rrëmbimi im do të kujtohet si standardi më i zi për të drejtat e njeriut që vendosi Edi Rama me përfaqësuesit e Narkoshtetit në të gjitha nivelet e tij.
Sigurisht që nuk ndjej zili për veprimet korrekte ndaj Veliajt, por absolutisht që kam vetëm një kërkesë: Të gjithë ato lekët e inceneratorit fantazmë që janë vjedhur t’u kthehen qytetarëve të Tiranës.
Pavarësisht nga rezervat, ishte kënaqësi të dëgjoja që edhe Kreu i Organizatës e ditka që ekziston një parim i prezumimit të pafajsisë.
E dashur Ola,
Të përshëndes dhe nëse dëshiron të bësh një intervistë me mua, jam i gatshëm në çdo moment, nëse të jep leje SPAK-u sigurisht.