Katy Perry dhe Orlando Bloom i japin fund fejesës pas 6 vitesh

Katy Perry dhe Orlando Bloom i kanë dhënë fund fejesës së tyre shumëvjeçare, pas muajsh tensioni dhe spekulimesh për krizë në marrëdhënie. Lajmin e ndarjes e konfirmuan burime për revistën Us Weekly, duke theksuar se dyshja mbetet në marrëdhënie të mira.
Sipas burimeve, ndarja ka qenë “e pritshme prej kohësh”, ndërsa këngëtarja e hitit “Firework” ndien një lehtësim që nuk po kalon një divorc tjetër, duke përmendur martesën e saj me komedianin Russell Brand nga viti 2010 deri në 2012.
Perry, e cila aktualisht ndodhet në turneun muzikor “Lifetimes” që zgjat deri në dhjetor, ka qenë e zënë dhe e shpërqendruar nga ndarja, sipas burimeve. Ajo ka nisur gjithashtu të japë me qira rezidencën luksoze në Montecito, të cilën e fitoi pas një beteje ligjore me Carl Westcott – shtëpi që fillimisht ishte planifikuar të bëhej shtëpia familjare e çiftit.
Ndërkohë, Orlando Bloom është parë kohët e fundit në Australi me vajzën e tyre katërvjeçare, Daisy Dove, dhe raportohet se do të marrë pjesë i vetëm në dasmën e Jeff Bezos dhe Lauren Sanchez.
Burime pranë çiftit bëjnë të ditur se problemet filluan pas publikimit të albumit “143” të Perry-t në shtator 2024, i cili nuk u prit mirë nga publiku dhe kritikët. Kjo e shtoi stresin dhe ndikoi në marrëdhënien e saj me Bloom.
Për më tepër, pavarësisht fejesës së gjatë që nga viti 2019, çifti nuk vendosi kurrë një datë martese, dhe sipas burimeve, Bloom “ishte i lodhur nga pritja”.
Çifti u lidhën për herë të parë në vitin 2016, u ndanë në 2017, dhe u rikthyen bashkë në fillim të 2018-ës. Në vitin 2020, ata mirëpritën vajzën e tyre, Daisy.