OP/ AN

“Kur morali përplaset me interesin”

Nga Xhemil Beharaj – Një mëngjes në treg që flet më shumë se fjalimet politike”

Teksa po shkoja drejt lokalit të zakonshëm për të pirë kafenë e mëngjesit, më duhej të kaloja si përditë përmes tregut. Një rrugë e zakonshme, por këtë herë u kthye në një skenë reflektimi mbi realitetin e hidhur politik e shoqëror në të cilin jetojmë. Në mesin e zhurmës së tregtarëve që thërrasin për mallin, syri më zuri një shitëse që po fliste në një video live në një rrjet social. Kamera e telefonit të saj ishte e ndezur, dhe zëri i saj përplasej qartë në ajër, duke krijuar një atmosferë të tensionuar por tepër reale.

Biseda zhvillohej mes saj dhe një gruaje tjetër, e cila sipas saj ishte kushërira e saj. Tregtarja, me një zë të ngarkuar me ndjenja, ia tha troç: “Kushurirë! Ti mbase e pranon që së bashku me burrin e kalamajtë të shikoni në televizor fotot e Ramës nudo, por unë dhe familja ime kemi moral dhe nuk e pranojmë. Ti votoje, pranoje.”

Kjo frazë më ngjiti në vend. Ishte më shumë se një diskutim mes të afërmish – ishte përplasja e dy botëkuptimeve. Në njërën anë, qëndronte morali dhe dinjiteti i një qytetari të thjeshtë që nuk i nënshtrohet as ofertave, as frikësimit, as demagogjisë. Në anën tjetër, qëndronte një grua që me gjakftohtësi, ndoshta edhe me cinizëm, ia ktheu: “O kushurirë, ai fjalët ka. Ne na intereson të kemi pushtetin, të kemi paratë, se po erdhi opozita s’ka as lekë. Prandaj na duhen vota.”

Nuk ka analizë politike që të ilustrojë më mirë gjendjen aktuale sesa kjo bisedë. Kjo nuk është thjesht një përplasje familjare për bindje politike. Është portreti i shoqërisë sonë, ku interesa të ngushta, përfitime të përkohshme dhe mbështetje të verbër për pushtetin vihen përballë moralit, dinjitetit dhe dëshirës për një ndryshim të ndershëm.

Tregtarja më pas ia ktheu ashpër: “Nëse ke bërë pisllëqe, përgjigju tek ligji për ato që ke bërë!”  Një fjali që në çdo vend tjetër me institucione funksionale, do të kishte peshë të madhe. Por këtu, ku drejtësia shpesh hesht, kjo bëhet thirrje në shkretëtirë.

Ajo më tej përmendi një çështje edhe më shqetësuese: takimin e kryeministrit me nxënëse minorene në Qerret dhe deklaratat e papërgjegjshme si “futuni në Google e kërkoni Rama nudo”. E përbindshme si thënie, por më përbindës është fakti që kjo nuk është marrë seriozisht nga institucionet, nga shoqatat për mbrojtjen e të miturve, nga komunitetet fetare apo intelektualët publikë. Një shoqëri që hesht përballë kësaj, e ka humbur busullën morale. Një tallje e kryeministrit i cili e di që ka përballë një opozite apatike  që flet në ajër e llogarit me shifra e karta bakalli që pretendojnë për fitore në 11 Maj kur  në disa zona nuk kanë struktura partie .

Kërkohet që socialistët e ndershëm, nëse ka akoma të tillë që ndihen përgjegjës, të distancohen nga deklarata të tilla dhe të mos bëhen pjesë e kësaj indiference të frikshme. Sepse vota nuk është vetëm një e drejtë. Është një përgjegjësi. Vota që i jepet një qeverie që nuk mbron më të vegjlit, që përdor fjalor të papërshtatshëm ndaj minorenëve dhe që përpiqet ta fshehë këtë me propagandë, është një votë që e rrënon edhe moralin shoqëror.

Familja, edukimi, morali – janë themele që nuk i mbron as propaganda, as premtimet, as lekët e pushtetit. Janë themele që mbrohen me qëndrime të forta, si ai i tregtares në treg. Ajo nuk është një figurë publike, nuk ka mikrofon në studio televizive, por ajo foli për të gjithë ata që nuk e pranojnë më pazarin me ndërgjegjen.

Dhe ndoshta, pikërisht nga këto zëra të zakonshëm, nga tregu, nga rruga, nga mëngjeset e zakonshme, mund të lindë një ndryshim i jashtëzakonshëm. ALB365/ Xhemil Beharaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button