KRYESORESPORT

Golat/ Dinamo në finalen e Kupës me “poker”

Në një përballje spektakolare të zhvilluar në “Elbasan Arena”, Dinamo siguroi një vend në finalen e madhe të Kupës së Shqipërisë pasi mposhti me rezultatin 4-3 skuadrën e Vllaznisë në takimin e dytë gjysmëfinal. Pas barazimit pa gola në Shkodër, kryeqytetasit shpërthyen me një paraqitje mbresëlënëse, duke kaluar fillimisht në avantazh të thellë prej 4-0.

Dinamo fatale në 45 minuta

Baton Zabërgja dhe Itodo Mandela ishin protagonistët absolutë për blutë, me nga dy gola secili. Fillimisht ishte Mandela që zhbllokoi shifrat në minutën e 17-të, pas një kundërsulmi të shpejtë dhe asisti të Zabërgjës. Më pas, vetë Zabërgja përfitoi nga një dalje e gabuar e portierit Jukaj në minutën e 36-të dhe dyfishoi epërsinë. Vetëm katër minuta pas fillimit të pjesës së dytë, Nani organizoi një aksion të shpejtë nga e djathta dhe shërbeu saktë për Mandelën, që shënoi golin e tretë. Ndërkohë, në minutën e 59-të, Zabërgja konfirmoi formën e tij të shkëlqyer duke realizuar edhe nga pika e bardhë.

Rikthimi shkodran

Por, kur dukej se gjithçka kishte marrë fund për Vllazninë, skuadra e drejtuar nga Thomas Brdariç reagoi me krenari. Vendimtare lëvizja e teknikut me Kahrimanovic e Grudën në fushë. Pikërisht ky i fundit shfrytëzoi një pasiguri të mbrojtjes dinamovite në minutën e 71′ dhe shkurtoi diferencën. Gruda shënoi me vetëm 9 minuta në lojë, ndërsa goli i dytë erdhi në minutën e 79′, kur Balaj u koordinua në mënyrë perfekte me një harkim të Kahrimanoviç dhe gjeti rrjetën me kokë. Vetëm gjashtë minuta më pas, vetë Kahrimanoviç realizoi golin e tretë për kuqeblutë pas një veprimi të shpejtë në zonë.

Pavarësisht tensionit në minutat e fundit, Dinamo arriti të mbante epërsinë dhe siguroi kualifikimin. Tashmë, skuadra e Ilir Dajës do të ketë mundësinë të luftojë për trofeun në finalen e madhe, ku do të përballet me fituesin e çiftit Partizani–Egnatia.

Tension në fund të ndeshjes

Sidoqoftë, eliminimi i Vllaznisë në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë përballë Dinamos, ka sjellë tension në radhët e shkodranëve. Kur Kreshnik Barjamaj sinjalizoi fundin e sfidës, tekniku Thomas Brdariç dhe disa prej lojtarëve të Vllaznisë, me në krye Balajn, protestuar ashpër te arbitri për minutat shtesë që, sipas tyre, nuk kishin qenë mjaftueshëm në këtë ndeshje me shumë vonesa loje.

GOLAT E NDESHJES

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button