Egnatia arrin finalen e tretë radhazi të Kupës: përmbyset Partizani

Egnatia vazhdon të shkruajë historinë në Kupën e Shqipërisë. Pas një përmbysjeje të madhe ndaj Partizanit, ata siguruan për të tretin vit radhazi kualifikimin në finalen e kompeticionit. Rrogozhinasit triumfuan 2-0 në ndeshjen e kthimit, pas kohëve shtesë, duke përmbysur humbjen 1-0 të aktit të parë.
Kryeqytetasit, që kishin fituar minimalisht në transfertë, hynë në fushë me idenë për të mbrojtur avantazhin. Me një qasje të kujdesshme, ata mbyllën hapësirat dhe ndalën Egnatian në pjesën e parë, duke pasur edhe dy raste të pastra për të mbyllur ndeshjen përpara kohe. Keko humbi një mundësi me portën bosh, pas pasimit të Bintsouka. Në aksionin pasuese Eleke u ndal nga shtylla e ishin shanset që Gega do t’i qante në vazhdim.
Rikthimi i Egnatias
Në fakt, gjithçka ndryshoi në pjesën e dytë. Skuadra e Tetovës mori kontrollin e lojës dhe nisi të rrezikojë seriozisht portën e Qirkos. Presioni i pandalshëm u shpërblye kur Xhemajli barazoi rezultatin e përgjithshëm dhe çoi ndeshjen në shtesë. “Siç e deklarova që ndeshjen e kaluar që do të ishte një Egnatia ndryshe – tha tekniku Edlir Tetova -. Insistuam në krahun e djathtë, e kishim si pikë të dobët të Partizanit dhe u shpërblyem deri në fund. I falenderoj çunat për disiplinën. Një opsion ishte duke e ditur edhe fushën që sdo ta kishim topin të shtruar, në të majtë do të kishim luftë dhe në të djathtën për të shkuar në linjat e djathta me Fangaj. Ka pasur kurba, por ishim deçizivë te goli i dytë”.
Gega i tërbuar me Atanaskoskin
Në minutat shtesë, ishte Guindo që realizoi golin vendimtar, duke kompletuar përmbysjen dhe vulosur një tjetër finale për Egnatian, ndërsa Partizani nuk gjeti forca për reagim. Ky eliminim e vë në rrezik pjesëmarrjen e të kuqve në arenën ndërkombëtare për sezonin e ardhshëm dhe trazon dhomat e zhveshjes. “Nuk më bindi detyra që i dhashë Atanaskosit – shpërtheu në zemërim Skënder Gega, që e futi si zëvendësues dhe më pas e largoi sërisht mbrojtësin -. Ka ardhur si ka ardhur puna e ekipit. Kur trajneri kërkon disiplinë, unë mund të luaj edhe me 7 veta nëse bëhen detyrat. Ishim përgatitur për këtë punë. U fut një lojtar tjetër që është më i freskët sepse Janjeva u dëmtua, futet dhe del jashtë detyrës, nëse s’ndjen fanellën 3 minuta dhe dil jashtë. Futbolli ka pengje sa të duash, siç erdhi loja… Egnatia është ekip i mirë pa i hequr vlerat dhe meritat. Goli i parë është i pafalshëm, e njëjta gjë ndodhi edhe në Ballsh”.