Luksi i shfrenuar i Ajola Xoxës, bleu 900 mijë euro bizhuteri dhe veshje online

SPAK ka zbuluar një shifër marramendëse të shpenzimeve të Ajola Xoxës në bizhuteri dhe veshje online. Pasi zbulon skemën e pagesës së ryshfetit nga biznesmenë që merrnin leje ndërtimi dhe i kalonin paratë tek kompanitë dhe OJF-të e Ajola Xoxës, prokurorët e SPAK thonë se vetëm në bizhuteri dhe veshje online, Ajola ka shpenzuar shumën prej 86 milion e 721 mijë e 175 lekësh, ose gati 900 mijë euro.
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka siguruar prova të mjaftueshme për të konkluduar se shtetësja Ajola Xoxa, vetë ose nëpërmjet personave të tjerë të afërt me të, për një periudhë kohore prej rreth 4 vitesh, ka bërë blerje online të cilat konsistojnë në veshje, bizhuteri etj, në masën 86,721,175 lekë. Këto shpenzime nuk rezultojnë të jenë deklaruar në asnjë nga Deklaratat Periodike të titullarit të Bashkisë Tiranë si edhe personave të lidhur me të” thuhet në njoftimin e SPAK.
Shifra stratosferike është vetëm një tregues i luksit të shfrenuar ku jetonte familja e kryebashkiakut Veliaj dhe e batërdisë që është bërë në Tiranë me vjedhjen e taksave të qytetarëve.