AKTUALITETKRYESORE

Mbështetësit e PD nga e gjithë Shqipëria grumbullohen për protestën kombëtare

Pasditen e kësaj të shtune, mbështetësit e Partisë Demokratike kanë nisur të grumbullohen përpara Kryeministrisë, selisë së PD dhe në sheshin “Skënderbej”, ndërsa nga momenti në moment pritet të nisë protesta kombëtare e thirrur nga PD dhe aleatët e saj.

Kryetari i PD-së Mirditë, Aleksandër Lala, në një prononcim të shkurtër për Euronews, ka ndarë opinionin e tij mbi protestën dhe misionin që ajo mbart.

“Unë kam ardhur nga Mirdita, jam kryetari i Partisë Demokratike Mirditë. Kjo është një lëvizje që kalon përtej thirrjeve të individëve që marrin përgjegjësitë. Kjo është një lëvizje popullore mbarëkombëtare që ka një mision tashmë të ditur,” – u shpreh ai.

Sa i përket numrit të protestuesve, ai theksoi se shifrat nuk janë kryesore, pasi rëndësi ka fryma dhe përmasat që ka marrë mobilizimi. “Ardhja është kaq e madhe sa që përtej numrit është fryma, dhe fryma është e jashtëzakonshme, në një pritje që po mobilizon 11 majin,” – tha ai.

Lidhur me zhvillimin e protestës së sotme, kreu i PD Mirditë siguroi se ajo do të jetë një demonstrim paqësor dhe një mesazh i qartë për situatën politike në vend. “Do të bëjmë reklamën e gjallë të asaj që po ndodh çdo ditë. Populli mendoj që do të marrë fatet e veta. Protesta sot është me misionin e rizgjimit të opozitës në aksionin politik për 11 majin,” – përfundoi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button