Oksigjen për Bylis, Malomo fundos Teutën: Hodo pëson humbjen e parë dhe është e rëndë

ylis ka siguruar një fitore të rëndësishme ndaj Teutës, duke u larguar nga fundi i renditjes dhe duke e thelluar krizën e durrsakëve. Në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Adush Muça”, ballshiotët triumfuan minimalisht 1-0 falë golit të Malomo në minutën e 52′.
Skuadra vendase dominoi gjatë gjithë ndeshjes, duke krijuar raste të shumta, ndërsa Teuta tentoi të reagonte, por u ndal nga portieri Batista. Ky rezultat jo vetëm që i jep 3 pikë të arta Bylis, por i jep edhe një goditje Teutës, që pëson humbjen e parë me trajnerin Bledar Hodo në pankinë. “Mendoj që pjesa e parë ishte e ekuilibruar, mungonte ritmi dhe dyluftimet të cilat të çojnë drejt suksesit.
Dy skuadrat shkuam në ekuilibër dhe kjo vjen nga nevojë për pikë dhe pozicioni në tabelë. Nuk u shfaqëm siç duhej në manovrës sulmuesi. Kjo ndeshje u zgjidh me një goditje standarde”, tha tekniku i Teutës.
Si u zhvillua ndeshja?
Bylisi e nisi ndeshjen më mirë, duke iu afruar golit që në minutat e para. Ruçi dhe Peralta patën tentativa të rrezikshme, ndërsa më pas ishte Jazxhi ai që u ndal nga një pritje vendimtare e Batistës.
Goli i vetëm i takimit erdhi në fillimin e pjesës së dytë, kur sulmuesi nigerian Malomo shënoi me kokë pas një goditjeje të saktë. Teuta u përpoq të kundërpërgjigjej, por Berko dhe Maçolli nuk arritën të mposhtnin Batistën, i cili ishte në një formë të shkëlqyer. Në fund të ndeshjes, tekniku i Bylis Gentian Mezani, kishte vetëm elozhe për skuadrën: “Jam deri diku i kënaqur pasi jemi gjatë gjithë kohës në tension. Këta çuna duhet të krijojnë më shumë siguri, u bënë shumë minuta që ata luajnë me njëri-tjetrin, duhet t’i japin më qetësi skuadrës. Duke mos pësuar sot ka qenë diçka shumë e mirë. Është kënaqësi që të mos pësosh. Kemi çuna të ri në ekip dhe kjo ju jep më shumë besim”.
Renditja pas kësaj sfide
Falë kësaj fitoreje, Bylis ngjitet në vendin e 7-të me 31 pikë, duke krijuar një distancë prej 3 pikësh nga “zona e ftohtë”. Ndërkohë, Teuta mbetet e zhytur në vendin e 8-të me 28 pikë dhe duhet të reagojë urgjentisht për të shmangur rënien.