SPORT

Onana, i sekuestrohet Lamborghini prej 350 mijë paundësh 

Përdorimi i makinës nuk i ka sjellë fat kamerunasit André Onana, por këtë herë jo në portën e Manchester United. Portieri është detyruar të heqë dorë nga një prej “bishave” të tij — një Lamborghini Urus — pasi policia ia ka sekuestruar mjetin me vlerë prej 350 mijë paundësh (afro 415 mijë euro). Arsyeja lidhet me mungesën e sigurimit të mjetit, dhe tani Onana duhet të veprojë shpejt nëse nuk do të përballet me pasoja të rënda.

Onana, sekuestrohet makina e rrezikon ta shkatërrojnë

Gjithçka ka nisur kur automjeti ndodhej në përdorim nga një mik i kamerunasit Onana. Sipas mediave britanike, i riu ndodhej në timonin e Lamborghini Urus në zonën Hale Barns të Mançesterit. Gjatë një kontrolli rutinë nga policia, njëra prej kamerave të sigurisë në zonë konstatoi mungesën e certifikatës së sigurimit. Menjëherë nisi procedura ligjore dhe mjeti u sekuestrua nga autoritetet.

Makina ndodhet aktualisht në një depo policore, dhe portieri është njoftuar për situatën. Sipas rregullores, ai ka 14 ditë kohë për të provuar se është pronari i ligjshëm i mjetit. Në të kundërt, Lamborghini mund të shitet në ankand ose, në rastin më të keq, të asgjësohet. Një burim pranë Onanës i tha “The Sun”: “Onana ka bërë disa gabime këtë sezon dhe dështimi për të siguruar makinën siç duhet duket se është i fundit ndër to.”

Onana si Pogba — rrezikon një ndëshkim të rëndë

Pas shumë kritikave për performancën e tij në fushë, një tjetër problem për portierin Onana, i cili ndjek shembullin e një tjetër ish-lojtari të Manchester United, Paul Pogba. Francezit iu sekuestrua një Rolls-Royce Wraith prej 300 mijë paundësh sepse kishte targa të regjistruara në Monako. Pogba u ndëshkua me tre pikë penalizim dhe një gjobë prej 220 paundësh, përveç 85 paundëve shpenzime gjyqësore në Gjykatën e Tameside. Më vonë, ai duhej të paguante edhe mijëra euro për tarifat e depozitimit të mjetit, i cili qëndroi për muaj të tërë në magazinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button