“Operacioni ‘Stolen Land’/ Çmontohet skema e tokave në Fier, 4 në pranga, mes tyre ish-zyrtarë të ASHK-së”.

FIER – Katër persona kanë përfunduar në pranga në Fier, në kuadër të operacionit të koduar “Stolen Land”, pas një hetimi të nisur që në vitin 2025. Mes të arrestuarve janë dy ish-drejtues të ASHK-së, një specialist jurist pranë këtij institucioni dhe një përfitues pronash, të cilët dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë regjistruar sipërfaqe toke në emër të këtij të fundit, përmes shfrytëzimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve.
Në vijim të hetimeve të nisura nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier në vitin 2025, të ndjekura me metoda proaktive dhe në bashkëpunim me Prokurorinë Fier, është finalizuar operacioni i koduar “Stolen Land”.
Më 16 shtator 2026, strukturat e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Mbështetjen Operacionale të Hetimit, kanë ekzekutuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, të caktuara nga Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.
Në pranga kanë përfunduar:
Ertis Shehu dhe Bardh Kapaj, ish-drejtues të ASHK-së;
Pirro Çela specialist dhe jurist pranë ASHK-së;
Kastriot Haskaj përfitues i pronave.
Sipas hetimeve, këta shtetas dyshohet se kanë bashkëpunuar për regjistrimin në pronësi të shtetasit K. H. të sipërfaqeve të tokës, duke shfrytëzuar pozicionet e tyre të punës dhe duke falsifikuar dokumentacionin përkatës.
Në kuadër të veprimeve procedurale, Policia e Fierit ka bashkëpunuar edhe me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, duke bërë të mundur ekzekutimin e masave të sigurimit personal dhe pasuror.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për vijimin e veprimeve hetimore dhe procedurale.
Policia
Finalizohet operacioni “Stolen Land”, ekzekutohen 4 masa sigurie.
Në vijim të hetimeve të nisura nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier në vitin 2025, të ndjekura me metoda proaktive, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Fier, më datë 16.09.2026, strukturat e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, si dhe me Mbështetjen Operacionale të Hetimit, kanë ekzekutuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, të caktuara nga Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për shtetasit:
- E. Sh. dhe B. K., me detyrë ish-drejtues të ASHK-së;
- P. Ç., me detyrë specialist, jurist pranë ASHK-së;
- K. H., përfitues i pronave.
Ekzekutimi i masave të sigurisë u krye pasi këta shtetas dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë regjistruar në pronësi të shtetasit K. H. sipërfaqe toke, duke shfrytëzuar pozicionet e tyre të punës, si dhe duke falsifikuar dokumentacionin përkatës.
Në vijim të veprimeve procedurale të kryera nga DVP Fier, në bashkëpunim me DVP Tiranë dhe DVP Vlorë, u ekzekutuan masat e sigurimit personal dhe pasuror ndaj shtetasve të mësipërm.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.








