BOTAKRYESOREKULTURË

Parandalohet sulm me bombë në koncertin e Lady Gaga-s me mbi 2,000,000 spektatorë në Rio de Janeiro

BrazilPolicia arrestoi dy të dyshuar që kishin rekrutuar njerëz për të zbatuar planin e tyre vrasës – Copacabana u “përmbyt” me njerëz për shfaqjen e këngëtares së famshme amerikane

Policia braziliane njoftoi se kishte parandaluar një sulm me bombë të planifikuar të ndodhte gjatë koncertit të madh falas të Lady Gaga -s të shtunën në plazhin Copacabana, në Rio de Janeiro.

Sipas autoriteteve të Rios, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, të dyshuarit kishin rekrutuar njerëz për të kryer sulme me pajisje shpërthyese të improvizuara, sipas BBC-së. Policia arrestoi të dyshuarin si organizator të komplotit dhe një bashkëpunëtor adoleshent.

Grupi i të dyshuarve, sipas policisë, kishte përhapur gjuhë urrejtjeje në internet, duke synuar kryesisht fëmijët, adoleshentët dhe njerëzit nga komuniteti LGBTQ+. I akuzuari kryesor u arrestua në shtetin e Rio Grande do Sul për posedim të paligjshëm të një arme, ndërsa i mituri akuzohet për posedim të pornografisë me fëmijë dhe u arrestua në Rio. Përtej qëllimit për të provokuar dhunë, autorët dyshohet se inkurajuan radikalizimin e adoleshentëve nëpërmjet internetit, me përmbajtje që promovonte vetëlëndimin dhe sjellje të tjera të dhunshme, duke i paraqitur ato si teste dhe mënyra për t’u bashkuar me një “grup”.

Të dyshuarit e identifikuan veten si “Përbindësha të Vegjël”, që do të thotë fansa të Lady Gaga-s, një element që i alarmoi autoritetet edhe më shumë. “Operacioni “Përbindëshi i rremë” u lançua pas informacionit të mbledhur nga shërbimet e inteligjencës së policisë së Rios, duke identifikuar grupet online që promovonin dhunën ekstremiste me gjuhë dhe simbolikë të koduar.

Bastisjet u kryen në katër shtete (Rio de Janeiro, Mato Grosso, Rio Grande do Sul dhe São Paulo), ku u sekuestruan pajisje elektronike dhe materiale të tjera.
Koncerti i Lady Gaga ishte pjesë e një turneu për të promovuar albumin e saj të tetë, Mayhem. Qeveria e qytetit vlerëson se eventi do të gjenerojë mbi 100 milionë dollarë.

Më shumë se dy milionë njerëz mbushën Kopakabanën, nën masa të rrepta sigurie. Mbi 5,000 oficerë policie u vendosën në vend, ndërsa kontrollet përfshinin detektorë metalesh, dronë dhe kamera për njohjen e fytyrës.

Lady Gaga, e cila nuk kishte performuar në Brazil që nga viti 2012, u shfaq me kostume të frymëzuara nga ekipi kombëtar i futbollit të vendit dhe e preku audiencën duke thënë: “Keni pritur më shumë se dhjetë vjet për të më parë”, ndërsa mbante flamurin brazilian.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button