AKTUALITETKRYESORE

Partitë e reja tallen me luajtjen mendsh të Ramës

Skena që u shfaq në Instagram sot në mëngjes, kur Edi Rama i ra tavolinës me grusht ndërsa mërmëriste sharje në anglisht, për Arlind Qorin e Lëvizjes Bashkë është një provë se kryeministri po luan mendsh.

“E patë se si i binte tavolinës në komunikimin live me qytetarët sot në mëngjes? E ka humbur toruan sepse Erjon Veliaj, njeriu më i afërt i tij në politikë, alter egoja e tij, produkti i tij politik në të gjitha kuptimet e fjalës, por edhe bashkëpërgjegjësi në sa e sa hajdutëri dhe afera korruptive me të, është në burg” thotë Arlind Qori në një video-komunikim që ka shpërndarë në rrjetet sociale.

I ekzaltuar nga skena që dhuroi Edi Rama në rrjetet sociale, Arlind Qori rendit një sërë skandalesh korruptive të kësaj qeverie, që nga inceneratori i Tiranës, ligji i investitorëve strategjikë, kullat e Tiranës etj. Qori kërkon që këto dosje të hetohen sa më shpejt, dhe prangat që iu hodhën Veliajt të bien edhe mbi Edi Ramën, duke harruar se këto dosje janë në prokurori prej vitesh, por për asnjërën prej tyre, Edi Rama as është marrë në pyetje.

Arrestimin e Veliajt e ka përshëndetur edhe kreu i Nismës Thurje, Endri Shabani që nga një video-mesazh në rrjetet sociale ripërsërit besimin në SPAK dhe thotë se e ka denoncuar fshehjen e pasurisë nga Veliaj që nga viti 2021.

“Rruga për t’u pasuruar mbi fatkeqësinë e shqiptarëve të zakonshëm, përfundon pikërisht aty, në burgun 313” u shpreh Shabani, të cilit arrestimi i Veliajt i ka përforcuar besimin në SPAK. Ndërkohë për shpërthimin që Edi Rama pati para celularit, Endri Shabani ka kujtuar batutën e famshme të avokatit të Saimir Tahirit.

“O Visi çoi dy paketa se iku edhe ky” shkruan Shabani duke shpërndarë një foto të Ramës që godet tavolinën e punës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button