OP/ AN

PPE pranon kërkesën e Berishës: Një mision faktmbledhës do të dërgohet në Shqipëri

Ai deklaroi se, në të gjitha takimet është dënuar ajo që e quan farsë elektorale në çdo aspekt të saj.

Partia Popullore Europiane (PPE) ka vendosur të përfshijë Shqipërinë në axhendën e saj për misione verifikimi. Vendimi erdhi pas kërkesës së Kryetarit të PD, Sali Berisha, i cili kërkoi ndihmën e PPE-së dhe partive simotra gjatë fjalës së tij në asamblenë politike të PPE në Bruksel për të dërguar një mision faktmbledhës në vendin tonë.

Sekretarja e Përgjithshme e PPE-së, Dolors Montserrat, deklaroi: “Vendosëm të bëjmë dy misione, një në Liban dhe një në Moldavi, por tani do ta vendosim si prioritet edhe Shqipërinë. Mendoj se është një ide e mirë kur na kërkoni diçka, ndaj do ta vendosim si një nga prioritetet dhe objektivat tona që të bëjmë një mision në Shqipëri.”

Në fjalën e tij, Berisha kërkoi zyrtarisht që PPE dhe partitë simotra të angazhohen në dërgimin e një misioni faktmbledhës në Shqipëri. Berisha theksoi se ky mision ka rëndësi të madhe për Shqipërinë dhe Evropën.

“Shqipëria është një eksportuese e madhe kriminaliteti, droge dhe emigrantësh. Ky mision do të kishte vlerë të madhe për të gjithë”, deklaroi ndër të tjera Berisha.

Në një intervistë pas takimit kryedemokrati u shpreh se, PPE do të sjellë në Shqipëri një mision faktmbledhës, sepse kartelet shqiptare paraqesin një rrezik të madh për vendet e Europës.

“Së pari, kjo ishte një ditë intensive takimesh të shumta me personalitete që kanë fokus dhe interesa direkti për zhvillimet në rajonin tonë dhe në Shqipëri. Dhe paraqitëm para tyre të gjithë shëmtinë e farsës elektorale të 11 Majit, dirigjimin e kësaj farse nga narkodiktatori i vendit, Edi Rama dhe përmasat e pjesëmarrjes në këtë farsë të narkoshtetit shqiptar.

Së dyti, siç mbase e pe dhe e dëgjove, gjeti mirëkuptim të plotë kërkesa jonë për dërgimin e misioni faktmbledhës pasi Shqipëria paraqet një rrezik madhor. Krimi shqiptar, kartelet e drogës të Shqipërisë paraqesin një rrezik madhor jo vetëm për liritë dhe të drejtat e shqiptarëve, për votën e tyre, por për rajonin dhe Europën si eksportues kryesor të drogave të forta që vijnë nga Lindja dhe nga Amerika Latine” – tha Berisha.

Ai deklaroi se, në të gjitha takimet është dënuar ajo që e quan farsë elektorale në çdo aspekt të saj. Gjithashtu Berisha tha se Rama me 92 përqind të votave në qarkun e Fierit nga Diaspora, me 90 përqind të votave në Vlorë, i afrohej Asadit dhe tejkalon Putinin dhe Lukashenkon e Bjellorusisë.

“Ne paraqitëm dokumente tek përfaqësuesit kryesorë, dhe vazhdojmë të paraqesim dokumente. Ne gjithçka e kemi të bazuar në dokumente zyrtare të pakundërshtueshme. Farsa elektorale e 11 Majit është më e shpifura që është zhvilluar në Europë që nga rënia e Perdes së Hekurt gjer sot. Në këtë farsë, në disa aspekte, Edi Rama me 92 përqind të votave në qarkun e Fierit nga Diaspora, me 90 përqind të votave në Vlorë, i afrohej Asadit të Rusisë dhe tejkalon Putinin dhe Lukashenkon e Bjellorusisë” – tha Berisha.

Gjithashtu ai tha se kjo është një betejë që vazhdon dhe se demokratët në betejën e tyre kundër asaj që e cilëson si narkoshtet do të mobilizojnë të gjithë potencialet që PPE disponon

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button