LIFE STYLE

Prestigjozja e verërave, “La Revue du Vin de France” përzgjedh kantinat shqiptare

Një tjetër arritje e produkteve “Made in Albania” ka ardhur nga bota e pijeve, ku vera shqiptare po shënon suksese të reja dhe po fiton vlerësime ndërkombëtare. Në një postim në rrjetet sociale, Kryeministri Edi Rama ka ndarë lajmin e jashtëzakonshëm se kantinat shqiptare janë përzgjedhur dhe vlerësuar nga revista më prestigjioze franceze e verës, “La Revue du Vin de France”.

Në këtë vlerësim të rëndësishëm për verërat e kuqe, “Kallmet Rezerva 2019” e Kantinës ARBËRI ka spikatur me një rezultat të shkëlqyer, duke u renditur me 93 pikë – një dëshmi e cilësisë së lartë dhe potencialit të jashtëzakonshëm të varieteteve autoktone shqiptare. Ky sukses është një tjetër konfirmim i vlerës së trashëgimisë sonë enologjike dhe i rëndësisë së kultivimit të rrushit vendas, si Kallmeti, që mbart shijen dhe traditën e një territori unik.

Përveç Kantinës ARBËRI, vlerësime të larta kanë marrë edhe kantina të tjera shqiptare, duke dëshmuar një cilësi të konsoliduar në prodhimin e verërave. Me një renditje që varion nga 88 deri në 92 pikë, janë nderuar edhe Kantina Faba, Kantina Pupa, Uka Wine, Çobo Wine dhe Kantina Alpeta. Ky sukses tregon se vera shqiptare po fiton gjithnjë e më shumë njohje në skenën ndërkombëtare, duke e çuar emrin e Shqipërisë në një tjetër nivel prestigji dhe duke hapur horizonte të reja për eksportin dhe promovimin e kulturës sonë të verës.

Me këtë arritje, prodhuesit shqiptarë të verës konfirmojnë se tradita dhe inovacioni ecin krah për krah, duke sjellë në gotat e degustuesve nga e gjithë bota një histori të pasur shijesh, aromas dhe përvojash të rralla. Vera shqiptare nuk është më vetëm një thesar vendas, por një vlerë që po zë vendin e merituar në hartën botërore të verërave cilësore.

Albert Vataj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button