
Në një takim me qytetarët e Kukësit, kryesocialisti Edi Rama foli për zhvillimin që ka pësuar qarku dhe kujtoi vitet e fillimit kur sipas tij vinte në qytetet e qarkut dhe ato dukeshin të zymta. Rama foli edhe për zhvillimin e turizmit në Tropojë vitet e fundit, ku tha se më parë tropojanëve nuk u besohej se do të ndodhte ky zhvillim për faktin se i kishin besuar dikujt nga këto anë që nuk kishte bërë asgjë në vitet e qeverisjes së tij, duke iu referuar Sali Berishës.
”Kur vija në Kukës në ato fillime, Kukësi ishte një territor i zymtë dhe çdo gjë rreth e rrotull të thoshte “largohu”. Sot ky është një qytet tërësisht tjetër dhe dua t’i siguroj banorët e lagjes 1 dhe lagjes 7, se projekti i transformimit të lagjeve do të përfundojë dhe kur të përfundojnë edhe këto dy të tjera. Jam shumë i vëmendshëm për investimet në Kukës, ndaj ua mbaj dhe mend.
Ajo që ka më shumë rëndësi që të thuhet sot, është që edhe Kukësi si bashki të hyjë në hartën turistike të Shqipërisë. Ne sot kemi një zhvillim që as nuk mendohej: zhvillimin turistik të Tropojës. Më kujtohet që kur thoshim që në Tropojë do zhvillojmë turizmin, nuk na besonin sepse për shumë vite i besuan dikujt nga të vetët dhe s’panë asgjë të hajrit. Sot Tropoja është në hartën turistike të Shqipërisë”.
Rama shtoi se nuk është aspak habi që në Shqipërinë 2030 Kukësi të arrijë 1 milion turistë. ”Nga ana tjetër për të krijuar një sistem mikpritjeje ku njerëzit jo thjesht të vijnë por të qëndrojnë disa netë në Kukës ne mund të themi se nuk është aspak e habitshme që në Shqipërinë 2030 Kukësi të arrijë 1 milionë turistë si qark. Nuk është një shifër e jashtëzakonshme. Ka zona të tjera që e kanë arritur këtë shifër”, tha Rama.
