SPORT

PSG ëndërron Championsin pas largimit të Mbappe

Nasser Al-Khelaifi bëri gjithçka pranverën e kaluar për të bindur Kylian Mbappé të qëndronte te Paris Saint-Germain. Sipas zërave pranë klubit, presidenti i PSG-së i ofroi yllit francez një pagë prej 50 milionë eurosh neto në sezon dhe një bonus prej 100 milionë eurosh vetëm për firmën, në përpjekje për ta mbajtur atë edhe për tre vite të tjera.

Mbappé nuk pranoi asnjë kompromis: ai kishte vendosur të bashkohej me Real Madridin, klubin e ëndrrave të tij, dhe në fund u largua me parametër zero, edhe pse kjo shkaktoi një betejë të gjatë ligjore që ende vazhdon.

Por ironia e futbollit është se PSG po përjeton sezonin më të suksesshëm në Europë pikërisht pas largimit të Mbappé. Trajneri Luis Enrique ka riformatuar ekipin duke i dhënë më shumë hapësirë Ousmane Dembélé, i cili është shndërruar në një qendërsulmues vrastar, me 25 gola vetëm në katër muajt e parë të vitit 2025.

Ky skenar sjell ndër mend rastin e Zlatan Ibrahimovic, i cili në vitin 2009 la Interin për Barcelonën, në përpjekje për të fituar Championsin. Por ndërkohë që ai dështoi në Spanjë, Interi, i përforcuar me Samuel Eto’o në vend të tij, fitoi tripletën historike në vitin 2010.

Ndryshe nga Ibrahimovic, zgjedhja e Mbappé mund të jetë një investim më afatgjatë. Por ngjashmëritë janë të pashmangshme: futbollistët largohen për lavdi, ndërsa ish-ekipet e tyre lulëzojnë menjëherë pas ikjes së tyre

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button